Rrëzohet një nga aktakuzat më të forta kundër Trumpit

Rrëzohet një nga aktakuzat më të forta kundër Trumpit

Bota July 15, 2024 - 16:34

Gjykatësja federale e qarkut Aileen Cannon ka hedhur poshtë çështjen e dokumenteve të klasifikuara kundër Donald Trump, raporton CNN.

Në një vendim të hënën, Cannon tha se emërimi i këshilltarit special Jack Smith e shkel Kushtetutën.

Vendimi tronditës nga Cannon, një gjykatëse e emëruar nga Trump në vitin 2020, fshin një nga sfidat kryesore ligjore me të cilat përballet ish presidenti amerikan dhe vjen në ditën e parë të Konventës Kombëtare Republikane. Shumë ekspertë juridikë e kishin cilësuar çështjen e dokumenteve të klasifikuara si më të fortën nga katër çështjet që ishin në pritje ndaj ish-presidentit.

Smith e kishte akuzuar Trumpin vitin e kaluar për marrjen e dokumenteve të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë dhe rezistimin ndaj përpjekjeve të qeverisë për t’i kthyer materialet. Ai ishte deklaruar i pafajshëm.

Aktpadia e qershorit të vitit 2023 që e ngarkon atë me dhjetëra kundërvajtje pretendon se hetuesit kishin gjetur kuti me dokumente sekrete të mbajtura pa kujdes në hapësirat e pronës së tij në Mar-a-Lago, përfshirë në dhomën e ballos, në banjë, në një vaskë dushi, në dhomën e tij të fjetjes dhe në një dhomë që përdorej si depo.

Vendimi i Gjykatës së Lartë dhe koha kur do të shpallej, parashihej se do të përcaktonte nëse gjyqi për çështjen e zgjedhjeve të vitit 2020 do të fillonte para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, apo jo.