Serbia synon t’i avancojë raportet me SHBA-në, Gjuriqi ia kërkon DASH-it fillimin e dialogut strategjik

Serbia synon t’i avancojë raportet me SHBA-në, Gjuriqi ia kërkon DASH-it fillimin e dialogut strategjik

Bota July 12, 2024 - 15:42

Ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, tha se në një takim me nënsekretarin për çështje politike në Departamentin e Shtetit, John Bass, ka kërkuar hapjen e një dialogu strategjik mes SHBA-së dhe Serbisë.

“Kam folur me nënsekretarin për çështje politike në Departamentin e Shtetit, John Bass, dhe nënvizova që hapja e dialogut strategjik mes Serbisë dhe SHBA-së do të dërgonte një sinjal të fuqishëm për të përkushtimit të të dyja vendeve ndaj qëllimit të përbashkët për vazhdimin e avancimit cilësor dhe sasior të marrëdhënieve tona dypalëshe”, shkroi Gjuriqi.

Ai ka thënë gjithashtu se “Serbia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të lidhura me 143 vjet marrëdhënie diplomatike”.

Gjuriqi e informoi bashkëbiseduesin për “prioritetet e politikës së jashtme të qeverisë së re të Serbisë, ndër të cilat është përfundimi i reformave kyçe në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027, duke falënderuar palën amerikane për mbështetjen e saj në procesin e integrimit evropian”.

Kosova është një prej shteteve të Ballkanit Perëndimor me raporte “speciale” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, ende s’ka arritur të avancojë nivelin e bashkëpunimit me Uashingtonin në atë që amerikanët po e quajnë “Dialogu Strategjik”, gjë që kanë arritur ta bëjnë Shkupi dhe Tirana zyrtare. Dialog të tillë me amerikanët kanë Sllovenia, Rumania e vende tjera. /express