Laburistët sigurojnë shumicë të qartë në zgjedhjet britanike, sipas “exit poll”-it

Laburistët sigurojnë shumicë të qartë në zgjedhjet britanike, sipas “exit poll”-it

Bota July 05, 2024 - 00:00

Partia Laburiste ka siguruar një shumicë të madhe të votave në zgjedhjet parlamentare të Britanisë, duke shfrytëzuar një valë zhgënjimi me 14 vjet qeverisjeje nga Partia Konservatore, ka treguar rezultati i një “exit poll”-i që u publikua menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, në natën e së enjtes.

Sipas këtij sondazhi, udhëheqësi i Laburistëve, Keir Starmer, do të jetë kryeministri i ardhshëm britanik. Partia e tij, sipas "exit poll"-it, pritet t'i ketë 410 vende në Parlamentin britanik, që përbëhet prej 650 vendesh.

"Të gjithë atyre që bënë fushatë për Laburistët në këto zgjedhje, të gjithë atyre që votuan për ne dhe i besuan Partisë sonë të ndryshuar Laburiste - faleminderit", shkroi Starmer në platformën sociale X, menjëherë pas publikimit të shifrave të sondazhit.

Elektorati duket t’i ketë dhënë një goditje të madhe Konservatorëve të kryeministrit Rishi Sunak, të cilët ndodhen në pushtet që nga viti 2010. Ata pritet t'i kenë 131 vende në përbërjen e ardhshme të Parlamentit, sipas sondazhit.

Në zgjedhjet e vitit 2019, konservatorët fituan 365 vende dhe laburistët 202. Që atëherë, dorëheqjet, përjashtimet dhe disa ngjarje të tjera e reduktuab shumicën e konservatorëve. Aktualisht, konservatorët kanë 344 vende, kurse laburistët 205.

Rezultatet e plota të zgjedhjeve të sivjetme priten gjatë orëve të ardhshme.

“Exit poll” i Britanisë u krye nga firma anketuese Ipsos, dhe u kërkoi njerëzve që dilnin nga qindra vendvotime të mbushnin një imitim fletëvotimi për të treguar se si kishin votuar.

Ky sondazh zakonisht mundëson një projeksion të besueshëm, ndonëse jo të përpiktë të rezultatit final të zgjedhjeve.

Përderisa rezultati i sugjeruar tregon se Britania ka shmangur trendin e kthimit nga e djathta që është parë së fundi në Evropë, përfshirë në Francë dhe në Itali, shumë prej rrymave të njëjta populiste paraqiten në Britani.

Udhëheqësi i Reformistëve, Nigel Farage, bëri fushatë me mesazhe kundër emigrantëve dhe mori një pjesë të mbështetësve nga konservatorët, të cilët pritej të përballeshin me zhgënjim.

Britania ka përjetuar disa vite të trazuara – pjesërisht për fajin e konservatorëve – që kanë shkaktuar pesimizëm në mesin e shumë votuesve për të ardhmen e vendit të tyre.

Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, pasuar nga pandemia e COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës i dhanë goditje të rënda ekonomisë, ndërsa festat që shpërfillën rregullat e izolimit, të organizuara nga kryeministri i atëhershëm Boris Johnson dhe stafi i tij, shkaktuan zemërim të gjerë.

Pasardhësja e Johnsonit, Lizz Truss, tronditi ekonominë edhe më tej me një pako shkurtimesh drastike të taksave, dhe qëndroi vetëm 49 ditë në detyrë.

Sunak, i cili e zëvendësoi Trussin, më pak se dy vjet më parë, shpalli zgjedhjet e 4 korrikut pavarësisht sondazheve që parashihnin humbje të partisë së tij. Analistët vlerësuan se ai e pa arritjen e disa sukseseve në ekonomi - sikurse rënia e inflacionit dhe rritja ekonomike - si momentin më të mirë për të çuar vendin në zgjedhje.

Sunak pritet t'ia paraqesë zyrtarisht dorëheqjen mbretit, sapo rezultati i përgjithshëm të qartësohet zyrtarisht, gjatë 5 korrikut.

Starmer, si udhëheqës i partisë fituese, do të takohet më pas me mbretin, i cili do t'i kërkojë atij ta formojë një Qeveri.

Më pas, kryeministri i ardhshëm zakonisht shkon në Downing Street për ta mbajtur një fjalim para publikut.

Gjatë ditëve në vijim, udhëheqësi i ri do ta fillojë emërimin e ministrave të Qeverisë, duke filluar nga postet e larta dhe duke kaluar në role me më pak përgjegjësi.
Parlamenti pritet ta rinisë punën më 9 korrik. Kryetari i Dhomës së Ulët të Parlamentit do të zgjidhet nga radhët e deputetëve të Parlamentit.

Secili deputet më pas do ta bëjë betimin për besnikëri ndaj mbretit ose do ta bëjë një pohim solemn (deklarim se do ta thotë të vërtetën). Kjo procedurë zakonisht zgjat disa ditë.

Hapja Shtetërore e Parlamentit dhe Fjalimi i Mbretit, që përcakton programin e legjislacionit të Qeverisë për seancën parlamentare, priten më 17 korrik, megjithëse kjo datë mund të ndryshohet nga Qeveria e ardhshme. /REL