Julian Assange lirohet nga burgu, pas marrëveshjes së arritur me Departamentin amerikan të drejtësisë
Julian Assange është liruar nga burgu britanik dhe pritet të deklarohet fajtor për shkeljen e ligjit të spiunazhit të SHBA-së, në një marrëveshje që do ta lejonte atë të kthehej në shtëpi në vendlindjen e tij Australi.
Assange, 52 vjeç, pranoi të deklarohej fajtor për një akuzë të vetme penale për komplot për të marrë dhe zbuluar dokumente të klasifikuara të mbrojtjes kombëtare të SHBA-së, sipas dosjeve në gjykatën e qarkut të SHBA-së të Ishujve Mariana Veriore.
Wikileaks postoi në mediat sociale një video të themeluesit të saj duke hipur në një fluturim në aeroportin Stansted të Londrës të hënën në mbrëmje dhe kryeministri australian Anthony Albanese konfirmoi se ai ishte larguar nga Mbretëria Britanike, shkruan TheGuardian.
Pritet që themeluesi i WikiLeaks do të deklarohet fajtor për shkeljen e ligjit të spiunazhit të SHBA në një seancë dëgjimore në Saipan dhe do të lejohet të kthehet në Australi.
Lidhur me këtë ka shkruar edhe vetë kryeministri australian.
“Qeveria australiane ka thënë vazhdimisht se çështja e zotit Assange është zvarritur për një kohë të gjatë dhe se nuk ka asgjë për të fituar nga burgimi i tij i vazhdueshëm. Ne duam që ai të sillet në shtëpi në Australi”, shkruan Albanase.
Për lirimin e Assange ka shkruar edhe gruaja e tij, Stella Assange e cila ka konfirmuar se bashkëshorti i saj është liruar.
“Julian është i lirë!!!!
Fjalët nuk mund të shprehin mirënjohjen tonë të pamasë për Ju, po për Ju, që të gjithë jeni mobilizuar për vite e vite për ta realizuar këtë. Faleminderit, faleminderit, faleminderit…
Ndiqni WikiLeaks për më shumë informacion së shpejti…”, shkruan ajo.