Liderët e BE-së pritet t’i diskutojnë emrat e rinj në krye të institucioneve të bllokut
Foto: AFP

Liderët e BE-së pritet t’i diskutojnë emrat e rinj në krye të institucioneve të bllokut

Bota June 17, 2024 - 12:10

Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian do të mblidhen në mbrëmjen e së hënës në Bruksel, në përpjekjen e parë për të arritur një marrëveshje për emrat e rinj të krerëve të institucioneve të BE-së, Komisionit Evropian, Këshillit Evropian, dhe emrin e ri në pozitën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Ky do të jetë takimi i parë i liderëve evropianë, pas zgjedhjeve të mbajtura në vendet anëtare të BE-së, më 6-9 qershor.

Rezultati i zgjedhjeve do të reflektohet në emrat e rinj në krye të institucioneve evropiane.

Sugjerimet kryesore pritet të bëhen për politikanët që u përkasin partive që kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet evropiane.

Ndonëse në këto zgjedhje është vërejtur rritje e ndjeshme e partive të së djathtës ekstreme, partitë tradicionale të qendrës së djathtë dhe majtë, Partia Popullore Evropiane dhe Social-Demokratët janë renditur në vendin e parë dhe të dytë, respektivisht.

Kandidatura e shefes së deritashme të BE-së, Ursula von der Leyen, është e sigurt, por tani liderët e vendeve të BE-së janë në kërkim të emrave të rinj për pozitat që kanë mbajtur Charles Michel dhe Josep Borrell.

E vetmja kandidaturë e sigurt është ajo e Ursula von der Leyenit, e cila synon rizgjedhjen për një mandat të dytë pesëvjeçar në krye të Komisionit Evropian – institucionit ekzekutiv të BE-së.

Gjasat që liderët të dakordohen për kandidaturën e saj janë të mëdha, duke marrë parasysh që ajo është prej Partisë Popullore Evropiane.

Pasi liderët e BE-së të votojnë për kandidatin për udhëheqje të BE-së, propozimi më vonë i shkon Parlamentit Evropian, i duhet më pas miraton apo refuzon këtë propozim.

Nëse konfirmohet kandidatura e Ursula von der Leyenit, atëherë kandidatët për udhëheqje të Këshillit Evropian dhe për pozitën e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, duhet të jenë prej radhëve të Social-Demokratëve dhe liberalëve evropianë.

Roli i presidentit të Këshillit Evropian është të kryesojë takimet në nivel të liderëve të BE-së dhe të përmirësojë punën e Këshillit Evropian.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ka rol të dyfishtë.

Zyrtari që mban këtë pozitë është njëri prej nënkryetarëve të Komisionit Evropian dhe ka rolin e kreut të diplomacisë evropiane.

Ka spekulime të ndryshme për politikanët që do të zëvendësonin Michelin dhe Borrellin në këto pozita.

Emrat që kanë shanset më të mëdha për këto poste, sipas informacioneve jozyrtare, është ai i ish-kryeministrit të Portugalisë Antonio Costa, për pozitën e presidentit të Këshillit Evropian dhe ai i kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas për pozitën e kryediplomatit të BE-së.

Megjithatë, nuk dihet nëse liderët e BE-së do të dakordohen për këta emra.

Ideale, por jo e domosdoshme, është që samiti i 17 qershorit të përfundojë me një marrëveshje.

Në rast se nuk arrihet një marrëveshje, mundësia e radhës për të diskutuar këtë çështje është samiti i rregullt që do të mbahet më 27 dhe 28 qershor. /Rel