Mediat e Vuçiqit në aksion, sulmojnë ministrin e mbrojtjes të Bosnjës

Mediat e Vuçiqit në aksion, sulmojnë ministrin e mbrojtjes të Bosnjës

Bota June 13, 2024 - 14:02

Pasi ministri i Mbrojtjes i BeH-së, Zukan Helez, tha se ndryshimi i emrit të Republikës Srpska nuk përjashtohet, mediat e regjimit të Aleksandar Vuçiqit (Infromer dhe Kurir) pritën mundësinë e parë për të sulmuar ministrin e shtetit dhe për të rritur tensionet në rajon.

Përkatësisht, Informer në tekst thekson se “Vuçiqi parashikoi gjithçka dhe se e pret një betejë për mbijetesën e serbëve sepse ministri boshnjak po kërcënon me një Stuhi të re, duke fshirë emrin e Republikës Srpska…”.

Ata theksojnë në tekst se Helez gjoja “ka kërcënuar serbët se, nëse nuk do të zbatonin këtë plan, ai “do të merrte fundin më të mirë”.

Në një prononcim për Vijesti.ba, ministri Helez komentoi se kjo ishte e pritshme, duke theksuar se Vuçiqi nuk ka asnjë lidhje me Bosnjë e Hercegovinën dhe se nuk ka të drejtë të përzihet në punët e brendshme të Bosnjë e Hercegovinës.

“Pas një sulmi tjetër ndaj meje nga mediat e regjimit nga shteti fqinj i Serbisë, i cili është nën kontrollin e Aleksandar Vuçiqit, dua t’i bëj një pyetje presidentit të Serbisë, zoti Vuçiq – kush ju dha të drejtën të ndërhyni në çështjet e brendshme të një shteti sovran, të njohur ndërkombëtarisht. Nëse BeH po punon për aneksimin e Sanxhakut, Hungaria për aneksimin e Vojvodinës, çfarë do të mbetej nga ‘Serbia e madhe’, ju lutemi hiqni duart nga BeH, ju keni mjaft probleme për të zgjidhur”, tha Helezi, duke shtuar: “ne do ta rregullojmë vendin tonë ashtu siç duam. Është më mirë që ai të mos e ngul hundën atje ku nuk i takon. Bosnjë dhe Hercegovina është një shtet sovran dhe nuk do t’i përgjigjet askujt për atë që do të bëjë me kushtetutën e saj, duke përfshirë ndryshimin e emrit të njësisë më të vogël të BeH-së”, na tha Helezi.