Zyra e ambasadës ruse hapet në Banja Llukë

Zyra e ambasadës ruse hapet në Banja Llukë

Bota June 11, 2024 - 14:11

Marrëdhëniet tona me Republikën Sërpska po përjetojnë një rritje të madhe, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Kontaktet në nivelin më të lartë janë bërë të rregullta”, sipas tij.

Lavrovi i bëri komentet gjatë një videoadresimi me rastin e hapjes së Zyrës së ambasadës ruse në Banja Llukë, të martën.

Me këtë veprim, Bosnjë e Hercegovina u bë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, ku Rusisë iu u mundësua zgjerimi i misionit diplomatik, pasi nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në vitin 2022.

Lavrovi tha se ky është një moment “historik” dhe se “ne kemi punuar për këtë qëllim tash e disa vite”.

“Ne do t’i kushtojmë vëmendje prioritare ndërtimit të tempullit ruso-serb, si një qendër shpirtërore dhe kulturore në Banja Lukë”, tha po ashtu Lavrovi.

Zyrën e hapën presidenti prorus i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe ambasadori i Rusisë në Bosnjë e Hercegovinë, Igor Kalabuhov.

Për hapjen e saj ishte rënë dakord në vitin 2021, para fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Për mundësinë që konsullata të hapej këtë vit, Dodiku paralajmëroi qysh në shkurt. Atë e konfirmoi pastaj edhe përfaqësia e Republikës Sërpska në Moskë. /REL