Sulmi izraelit në strehën e OKB-së në Gazë vret të paktën 27 persona

Sulmi izraelit në strehën e OKB-së në Gazë vret të paktën 27 persona

Bota June 06, 2024 - 08:41

Një sulm ajror izraelit në një shkollë të OKB-së të mbushur me qindra njerëz të zhvendosur në Gazën Qendrore, ka vrarë të paktën 27 persona, thonë zyrtarët lokalë, raporton BBC.

Ushtria izraelite tha se kreu një sulm në një shkollë të OKB-së që strehonte një “komponim të Hamasit”.

Gazetarët vendas i thanë BBC-së se një avion luftarak izraelit qëlloi dy raketa në klasat në katin e fundit të shkollës në kampin e refugjatëve Nuseirat.

Zyra mediatike e Hamasit ka akuzuar Izraelin se ka kryer një “masakër të tmerrshme”.

Ambulancat dhe ekipet e shpëtimit kanë dërguar të plagosurit dhe të vdekurit në një spital aty pranë.

Pamjet në mediat sociale treguan klasa të shkatërruara dhe trupa të mbështjellë me qefin në një morg.

“Mjaft luftë! Ne jemi zhvendosur dhjetëra herë. Ata na vranë fëmijët teksa flinin”, bërtiti një grua e plagosur në sulm.

Ismail al-Thawabta, drejtor i zyrës së mediave të Hamasit, hodhi poshtë pretendimet e Izraelit se shkolla e OKB-së kishte fshehur një post komandimi të Hamasit.

“Okupimi përdor … histori të rreme të fabrikuara për të justifikuar krimin brutal që kreu kundër dhjetëra njerëzve të zhvendosur”, i tha ai agjencisë së lajmeve Reuters, transmeton Klan Kosova.

Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se avionët kishin kryer një “sulm të saktë në një kompleks të Hamasit të ngulitur brenda një shkolle Unrwa në zonën e Nuseirat” dhe se “kishin vrarë ‘terroristët’ e Hamasit dhe Xhihadit Islamik që morën pjesë në sulmin e 7 tetorit në jug të Izraelit, kur rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng”.

Të paktën 36,580 njerëz janë vrarë në Gaza që nga atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit të Hamasit.