Borrelli thotë se BE-ja mbështet planin e Bidenit për armëpushim në Gazë

Borrelli thotë se BE-ja mbështet planin e Bidenit për armëpushim në Gazë

Bota June 05, 2024 - 12:56

Bashkimi Evropian (BE) mbështet plotësisht planin e paraqitur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që do të mundësonte një armëpushim të qëndrueshëm në Gazë, lirimin e të gjitha pengjeve dhe rritje të ndihmës humanitare, tha kryediplomati i bllokut, Josep Borrell në një deklaratë.

Një plan për armëpushim, i shpallur javën e kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, përfshin, mes të tjerash, armëpushimin e plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e populluara në Gazë, dërgimin e ndihmave atje dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi - grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

“BE-ja vlerëson përpjekjet e vendosura të SHBA-së, Egjiptit dhe Katarit në lehtësimin e negociatave për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit, njëkohësisht duke garantuar sigurinë e Izraelit, për të cilën BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar”, thuhet në deklaratë.

Një ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli e ka pranuar atë, ndonëse, sipas tij, plani ka të meta dhe do ende punë.

Hamasi tha se e mirëpret nismën e presidentit Biden, por se kërkon garanci se do t’i jepet fund ofensivës në Gazë, e cila, sipas tij, ka lënë mbi 36.000 njerëz të vrarë.

“Nevojitet urgjentisht një armëpushim i qëndrueshëm, për të siguruar mbrojtjen e civilëve, lirimin e pakushtëzuar dhe të menjëhershëm të të gjitha pengjeve, siguria dhe mirëqenia e të cilëve është shqetësuese, dhe për të rritur rrjedhën e ndihmave humanitare shumë të nevojshme në Gazë”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.

Në fund, BE-ja u ka kërkuar palëve të pranojnë dhe përmbushin propozimin trefazor duke thënë se “është e gatshme të kontribuojë në ringjalljen e një procesi politik për një paqe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete, dhe të mbështesë një përpjekje të koordinuar ndërkombëtare për rindërtimin e Gazës”.

Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.

Pas këtij sulmi nisi lufta në Rripin e Gazës - i kontrolluar nga Hamasi.

Dhjetëra pengje të marra prej këtij grupi, u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor, ndërsa disa të tjera u gjetën - të vdekura ose të gjalla - nga trupat izraelite. /Rel