Ushtria izraelite nis sulme në pjesën qendrore të Gazës
Foto: AFP

Ushtria izraelite nis sulme në pjesën qendrore të Gazës

Bota June 05, 2024 - 11:57

Ushtria izraelite tha se ka filluar "aktivitet operacional" në dy zona të pjesës qendrore të Gazës, në një zgjerim të mundshëm të ofensivës tokësore një-mujore kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ushtria tha të mërkurën se forcat e saj po operonin "si mbi ashtu edhe nën tokë" në pjesët lindore të Deir al-Balah dhe Bureij - një kamp i ndërtuar refugjatësh palestinezë që daton nga lufta e vitit 1948.

Ushtria tha se operacioni filloi me sulme ajrore në infrastrukturën militante, pas së cilit trupat filluan një operacion tokësor në të dy zonat.

Ofensiva tetë-mujore ka ndërprerë kryesisht fluksin e ushqimit, ilaçeve dhe furnizimeve të tjera për palestinezët që po përballen me urinë e përhapur.

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë presin që Izraeli dhe Hamasi t'i përgjigjen një propozimi të ri për armëpushim dhe lirimin e pengjeve.Një plan për armëpushim, i shpallur javën e kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, përfshin, mes të tjerash, armëpushimin e plotë, tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e populluara në Gazë, dërgimin e ndihmave atje dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi.

Një ndihmës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli e ka pranuar atë, ndonëse, sipas tij, plani ka të meta dhe do ende punë.

Hamasi tha se e mirëpret nismën e presidentit Biden, por se kërkon garanci se do t’i jepet fund ofensivës në Gazë, e cila, sipas tij, ka lënë mbi 36.000 njerëz të vrarë.

Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.

Pas këtij sulmi nisi lufta në Rripin e Gazës - i kontrolluar nga Hamasi.

Dhjetëra pengje të marra prej këtij grupi, u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor, ndërsa disa të tjera u gjetën - të vdekura ose të gjalla - nga trupat izraelite. /Rel