GJND-ja urdhëron Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën në Rafah

GJND-ja urdhëron Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën në Rafah

Bota May 24, 2024 - 15:38

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) urdhëroi Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën e tij ushtarake në Rafah, në jug të Gazës.

Gjykata tha se ky urdhër vjen për shkak të “rrezikut të menjëhershëm” me të cilin përballen palestinezët.

Afrika e Jugut i kishte kërkuar gjykatës, me seli në Hagë, që të urdhërojë ndalimin e ofensivës izraelite në Rafah dhe tërheqjen e trupave nga i gjithë Rripi i Gazës.

Çfarë është GJND-ja?

GJND-ja, që njihet edhe si Gjykata Botërore, është organi më i lartë ligjor i Kombeve të Bashkuara, i themeluar në vitin 1945 për të trajtuar mosmarrëveshjet midis shteteve. Nuk duhet të ngatërrohet me Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), të bazuar në traktat, gjithashtu në Hagë, e cila trajton rastet e krimeve të luftës kundër individëve.

Kolegji prej 15 gjyqtarësh i GJND-së, i cili zgjerohet nga një gjyqtar shtesë i zgjedhur nga Izraeli në këtë rast, sepse tashmë ka një gjykatës nga Afrika e Jugut - merret me mosmarrëveshjet kufitare dhe gjithnjë e më shumë çështje të ngritura nga shtetet që akuzojnë të tjerët për shkelje të detyrimeve të Traktatit të OKB-së.

Afrika e Jugut dhe Izraeli janë nënshkruese të Konventës së Gjenocidit të vitit 1948 që i jep GJND-së juridiksionin për të vendosur rreth mosmarrëveshjeve mbi traktatin. Ndërsa, çështja ka të bëjë me territoret palestineze të pushtuara nga Izraeli, palestinezët nuk kanë asnjë rol zyrtar në procedurë.

Të gjitha shtetet që e kanë nënshkruar Konventën e Gjenocidit, janë të detyruara të mos kryejnë gjenocid dhe ta parandalojnë dhe ndëshkojnë atë. Traktati e përkufizon gjenocidin si "akte të kryera me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar". /REL