Çfarë rëndësie ka njohja e shtetit palestinez nga Spanja, Irlanda dhe Norvegjia?
Spanja, Irlanda dhe Norvegjia thanë të mërkurën se do ta njihnin shtetin palestinez më 28 maj, një hap drejt një aspirate të gjatë palestineze që erdhi mes zemërimit ndërkombëtar për numrin e viktimave civile dhe krizën humanitare në Rripin e Gazës pas ofensivës së Izraelit.
Vendimet e trefishta dhe pothuajse të njëkohshme mund të rezultojnë vrull për njohjen e një shteti palestinez nga vendet e tjera të BE-së dhe mund të nxisin hapa të mëtejshëm në Kombet e Bashkuara, duke thelluar izolimin e Izraelit. Shembullin mund ta ndjekin Malta dhe Sllovenia, të cilat gjithashtu janë në mesin e 27 vendeve të Bashkimit Evropian.
Rreth 140 nga 190 shtete anëtare të OKB-së e kanë njohur tashmë një shtet palestinez.
Pse ka rëndësi?
Vendimi i OKB-së i vitit 1948 që krijoi Izraelin, parashikonte një shtet fqinj palestinez, por rreth 70 vjet më vonë kontrolli i territoreve palestineze mbetet i ndarë dhe ofertat për anëtarësim në OKB janë mohuar.
Shtetet e Bashkuara, Britania dhe vende të tjera perëndimore kanë mbështetur idenë e një shteti të pavarur palestinez që ekziston përkrah Izraelit si një zgjidhje për konfliktin më të vështirë të Lindjes së Mesme, por këmbëngulin se shtetësia palestineze duhet të vijë si pjesë e një zgjidhjeje të negociuar. Negociata thelbësore nuk ka pasur që nga viti 2009.
Megjithëse vendet e BE-së dhe Norvegjia nuk do ta njohin një shtet ekzistues, vetëm mundësinë për një të tillë, simbolika ndihmon në ngritjen e pozitës në nivel ndërkombëtar të palestinezëve dhe shton presionin mbi Izraelin për të hapur negociatat për përfundimin e luftës.
Gjithashtu, ky hap i jep rëndësi shtesë çështjes së Lindjes së Mesme përpara zgjedhjeve të qershorit për Parlamentin Evropian, kur rreth 370 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë teksa një rritje e madhe e së djathtës ekstreme është në skenë.
Pse tani?
Presioni diplomatik ndaj Izraelit është rritur teksa beteja me Hamasin - i shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian - ka hyrë në muajin e saj të tetë. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me një diferencë të konsiderueshme më 11 maj për t'i dhënë "të drejta dhe privilegje" të reja Palestinës në shenjë të mbështetjes në rritje ndërkombëtare për një votim për anëtarësimin.
Udhëheqësit e Spanjës, Irlandës, Maltës dhe Sllovenisë thanë në mars se po e shqyrtonin njohjen e një shteti palestinez si "një kontribut pozitiv" drejt përfundimit të luftës.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, së fundmi kishte deklaruar:
"Unë e bëj këtë për bindje morale, për një kauzë të drejtë dhe sepse kjo është mënyra e vetme që të dyja shtetet, Izraeli dhe Palestina, të jetojnë së bashku në paqe".
Çfarë implikimesh mund të sjellë njohja?
Edhe pse dhjetëra vende e kanë njohur Palestinën, asnjë nga fuqitë kryesore perëndimore nuk e ka bërë këtë dhe është i paqartë ndryshimi që mund të sjellë lëvizja e këtyre tri vendeve.
Megjithatë, njohja e tyre do të shënonte një arritje të rëndësishme për palestinezët, të cilët besojnë se kjo i jep legjitimitet ndërkombëtar luftës së tyre.
Pak ka të ngjarë të ndryshojnë gjërat në terren në një afat të shkurtër. Bisedimet për paqe kanë ngecur dhe Qeveria e vijës së ashpër e Izraelit refuzon ta ndryshojë qëndrimin e saj kundër shtetësisë palestineze.
Cila është përgjigjja e Izraelit?
Izraeli reagoi menjëherë të mërkurën duke tërhequr ambasadorët e tij nga Irlanda dhe Norvegjia.
Qeveria izraelite kritikoi bisedimet për pavarësinë e Palestinës duke i quajtur si një "shpërblim" për sulmin e Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, i cili vrau 1200 njerëz dhe çoi në rrëmbimin e mbi 250 të tjerëve. Ajo kundërshton çdo lëvizje për të legjitimuar palestinezët ndërkombëtarisht.
Hapa si ata të tri vendeve evropiane të mërkurën, do të forcojnë pozicionin palestinez dhe do të dëmtojnë procesin e negociatave, thotë Izraeli, duke këmbëngulur se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen përmes negociatave.
Izraeli shpesh u përgjigjet vendimeve të vendeve të huaja që konsiderohen se shkojnë kundër interesave të tij, duke thirrur ambasadorët e këtyre vendeve dhe gjithashtu duke ndëshkuar palestinezët përmes masave të tilla si ngrirja e transfereve të taksave për Autoritetin Palestinez me para të gatshme.
Kush e njeh Palestinën si shtet?
Rreth 140 vende e kanë njohur tashmë shtetin palestinez, apo më shumë se dy të tretat e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Disa fuqi të mëdha kanë treguar se qëndrimi i tyre mund të jetë duke evoluar mes protestave për pasojat e ofensivës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë më shumë se 35.000 palestinezë sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. Ministria nuk bën dallim midis joluftëtarëve dhe luftëtarëve në numërimin e saj.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se njohja e Palestinës nuk mund të vijë derisa Hamasi të mbetet në Gaza, por se kjo mund të ndodhë derisa negociatat izraelite me liderët palestinezë janë në zhvillim e sipër.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha në shkurt se nuk është “tabu” që Franca ta njohë shtetin palestinez. /REL