Konfirmohet se presidenti iranian ka vdekur pas rrëzimit të helikopterit

Konfirmohet se presidenti iranian ka vdekur pas rrëzimit të helikopterit

Bota May 20, 2024 - 07:59

Mediat iraniane kanë konfirmuar vdekjen e presidentit të Iranit, Ebrahim Raisi, në moshën 63-vjeçare dhe ministrit të Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, pas një rrëzimi të helikopterit në provincën malore të Azerbajxhanit Lindor.

Siç shkruan CNN, mediat shtetërore iraniane Press TV dhe agjencitë gjysmë zyrtare të lajmeve Tasnim dhe Mehr raportuan se të gjithë personat në bord kanë humbur jetën.

Reuters gjithashtu raportoi vdekjen e presidentit, duke cituar një zyrtar të lartë.“Presidenti Raisi, ministri i jashtëm dhe të gjithë pasagjerët në helikopter u vranë në përplasje”, tha zyrtari për Reuters, duke kërkuar të mos përmendet emri për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Kryetari i Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit, Pir-Hossein Kolivand, tha të hënën se nuk kishte shenja jete nga ata që udhëtonin në bord.Helikopteri që mbante nëntë persona pati probleme në mjegull të dendur gjatë kthimit nga një udhëtim në kufirin Iran-Azerbajxhan, thanë zyrtarët iranianë të dielën.

Rrëzimi nxiti një operacion kërkim-shpëtimi që zgjati me orë të tëra me ndihmën edhe të  Bashkimit Evropian dhe Turqisë, por ekipet e emergjencës u penguan nga mjegulla dhe temperaturat e ulëta.

Kabineti i Raisit është duke e mbajtur një takim emergjent, sipas mediave shtetërore.

Ligji iranian thekson se, nëse vdes presidenti, atëherë pushteti i kalohet zëvendëspresidentit të parë. Një këshill, i përbërë nga kryetari i parlamentit, kryetari i Gjyqësorit dhe nga zëvendëspresidenti i parë, duhet ta organizojë emërimin e presidentit të ri brenda 50 ditëve.

Mohammad Mokhber është zëvendëspresidenti i parë i tanishëm i Iranit.