Më shumë se njëzet ekipe, përfshirë dronët dhe qentë – në kërkim të helikopterit “të rrëzuar” të presidentit iranian

Më shumë se njëzet ekipe, përfshirë dronët dhe qentë – në kërkim të helikopterit “të rrëzuar” të presidentit iranian

Bota May 19, 2024 - 18:25

Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar pasi një helikopter që transportonte presidentin iranian Ebrahim Raisi u detyrua të bënte një “ulje të vështirë” në një rajon malor në veriperëndim të Iranit.

Incidenti ndodhi të dielën në pyllin Dizmar midis qyteteve Varzaqan dhe Jolfa në provincën e Azerbajxhanit Lindor, ndërsa presidenti po kthehej nga një ngjarje për inaugurimin e një dige me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Banorët vendas i thanë gazetarit të IRNA se ata dëgjuan “zhurma” në rajon pak kohë më parë, shkruajnë mediat e huaja.

Më shumë se njëzet ekipe kërkimi dhe shpëtimi të pajisura plotësisht, duke përfshirë dronët dhe qentë, janë dërguar në zonë.

Forcat e Armatosura iraniane kanë vendosur gjithashtu njësi komando dhe forca speciale për të ndihmuar në operacionin e kërkimit.

Por për shkak të terrenit të thyer të rajonit dhe kushteve të vështira të motit, veçanërisht mjegullës së dendur në zonë, operacioni i kërkim-shpëtimit mund të marrë pak kohë, tha gazetari i IRNA.

Zëdhënësi i Shërbimeve të Emergjencave të Iranit tha për IRNA se tetë autoambulanca janë dërguar në rajon, duke shtuar se mjegulla e madhe i ka bërë të pamundura përpjekjet e shpëtimit ajror.

Ai shtoi se për të ofruar ndihmë është dërguar edhe një helikopter emergjent, por është detyruar të kthehet prapa për shkak të mjegullës së madhe, pasi nuk ka mundur të ulej në zonë. /Telegrafi/