Arrestohet zëvendësministri rus i Mbrojtjes, dyshohet për mitmarrje

Arrestohet zëvendësministri rus i Mbrojtjes, dyshohet për mitmarrje

Bota April 23, 2024 - 22:21

Policia ruse ka arrestuar zëvendësministrin e Mbrojtjes, Timur Ivanov nën dyshim për mitmarrje.

Për këtë rast është informuar edhe presidenti Vladimir Putin, një lëvizje e rrallë kjo nga Kremlini që kur ka filluar pushtimin e Ukrainës.

Aktivistët anti-korrupsion prej vitesh kanë kritikuar atë që vazhdimisht e quajnë zgjerim të korrupsionit që kur Vladimir Putini ka ardhur në pushtet.

“Zëvendësministri i Mbrojtjes, Timur Vadimovich Ivanov është arrestuar nën dyshimin për kryerje të krimit, pra mitmarrje”, thuhet në kumtesën e policisë ruse.

Ivanov është nën sanksionet e Bashkimit Evropian si një prej zyrtarëve më të lartë të ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Ai ishte bërë temë diskutimi, pas publikimit të një hetimi të kryer në vitin 2022 nga lideri tashmë i ndjerë i opozitës Alexei Navalny.

Në atë hulumtim ishte thënë se Ivanov kishte përfituar nga projektet e ndërtimit në Mariupol të Ukrainës, që kontrollohet nga Moska pas disa muajve rrethim.