Bideni mbledh G7-ën për të diskutuar përgjigjen ndaj Iranit
Foto: AFP

Bideni mbledh G7-ën për të diskutuar përgjigjen ndaj Iranit

Bota April 14, 2024 - 10:24

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se do të thërrasë një takim të udhëheqësve të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, “për të koordinuar një përgjigje të bashkuar diplomatike” kundër sulmit të Iranit ndaj Izraelit.

Italia, e cila aktualisht mban presidencën e G7-ës, bëri thirrje për një takim virtual për të diskutuar sulmin, raportoi agjencia e lajmeve, Reuters, duke cituar burime brenda Zyrës së Kryeministres.

Takimi pritet të zhvillohet në orët e para të pasdites, sipas kohës në Evropë.

Mbrëmjen mes 13 dhe 14 prillit, Irani sulmoi Izraelin me qindra dronë dhe raketa, në shenjë hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Siri, më 1 prill.

Irani e akuzoi Izraelin për kryerjen e këtij sulmi, por ky i fundit as nuk e konfirmoi, as nuk e mohoi.

Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e dronëve dhe raketave të Iranit u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite.

Biden tha se SHBA-ja e ndihmoi Izraelin që “t’i rrëzonte pothuajse të gjitha”. /REL