Pesë persona të vrarë si pasojë e një sulmi në Sidnej
Foto: AFP

Pesë persona të vrarë si pasojë e një sulmi në Sidnej

Bota April 13, 2024 - 10:49

Pesë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë në gjendje serioze, përfshirë një fëmijë të vogël, pas një sulmi me thikë në një qendër tregtare në Sidnej.

Policia e ka konfirmuar numrin e të vrarëve dhe ka thënë se sulmuesi është qëlluar, po ashtu, për vdekje.

Ndihmëskomisionari policor, Anthony Cooke, ka thënë në një konferencë për media se i dyshuari i ka therur nëntë persona teksa ka lëvizur në qendrën tregtare.

Cooke ka thënë se sulmuesi e ka kryer sulmin vetëm dhe nuk ka rrezik më për publikun.

I pyetur nga gazetarët për motivet e sulmit, ka thënë se janë duke u kryer hetime.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se bashkëndjen me familjarët e të prekurve në këtë incidient.

Në disa pamje më herët rrjetet sociale janë parë disa viktima, si dhe një burrë duke mbajtur një thikë të madhe.

Turma njerëzish kanë ikur prej qendrës tregtare dhe njerëzit janë udhëzuar që të shmangin këtë zonë.

Në afërsi janë parë ambulanca dhe shumë makina të policisë./REL