Vrasja e punonjësve të ndihmës në Gazë, reagojnë ndërkombëtarët

Vrasja e punonjësve të ndihmës në Gazë, reagojnë ndërkombëtarët

Bota April 03, 2024 - 11:24

Vrasja e 7 punonjësve të ndihmës humanitare në Gazë duket që ka shkaktuar një tjetër krisje mes SHBA-së dhe Izraelit. Presidenti amerikan Joe Biden, ka dënuar sulmin e Izraelit, duke e akuzuar atë se nuk po bënë aq sa duhet për të mbrojtur të pafajshmit.

Biden ka thënë se “është i zemëruar dhe zemërthyer” për humbjen tragjike të stafit të Kuzhinës Qendrore Botërore. Kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri thirrje për nisjen e sa më parë të hetimeve duke theksuar se përgjegjësit të përballen me drejtësi.

“Shpërndarja e ndihmave në Gazë ka qenë “shumë e vështirë sepse Izraeli nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur punonjësit e ndihmave që përpiqeshin të ofrojnë  ndihmën dëshpërimisht të nevojshme për civilët”, tha ai.

Izraeli premtoi një hetim të pavarur pasi Britania e Madhe, SHBA, Kanadaja, Australia dhe Polonia humbën shtetasit në sulmin e së hënës. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak foli të martën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Gjatë bisedës ai e përshkroi situatën në Gazë si “gjithnjë e më të patolerueshme” dhe “kërkoi një hetim të plotë dhe transparent.

Kryeministri australian Anthony Albanese po ashtu tha se kishte shprehur zemërimin dhe shqetësimin e Australisë në një telefonatë të gjatë me Netanyahu dhe se ai priste një shpjegim të plotë dhe të duhur se si ka ndodhur kjo.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se duhej “përgjegjësi e plotë”, duke shtuar se ishte “absolutisht e papranueshme që punonjësit e ndihmës të vriteshin” nga forcat izraelite.

Edhe ministri i jashtëm i Polonisë ka kërkuar hetim të pavarur.

Shtatë viktima, të cilët punonin për Kuzhinën Qendrore Botërore, humbën jetën pasi kolona e tyre u sulmua nga ajri. Presidenti izraelit Isaac Herzog ka kërkuar falje për vdekjet.

Shpërndarja e ndihmave është pezulluar përkohësisht. /abcnews