Irani zotohet për hakmarrje, pas sulmit në Damask për të cilin e fajëson Izraelin
Teherani është zotuar se do të hakmerret, pasi shtatë njerëz, përfshirë një komandant të lartë të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), u vranë nga një sulm ajror në konsullatën iraniane në Damask të hënën.
Irani e ka fajësuar Izraelin për këtë sulm.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha të martën se do ta bëjnë Izraelin të “pendohet” për sulmin ndaj kompleksit të Ambasadës së Iranit në Damask, ku u vra gjenerali Mohammad Reza Zahedi, komandat i lartë i trupave të IRGC-së, si dhe gjashtë persona të tjerë që besohet se janë pjesëtarë të IRGC-së.
Izraeli nuk ka thënë se e kreu këtë sulm, edhe pse e ka rritur fushatën e sulmeve ajrore mbi caqet e lidhur me Iranin prej se e nisi luftën më 7 tetor në Rripin e Gazës kundër Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroristet nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Hamasi mbështetet nga Teherani.
Sulmi ndaj ndërtesës ngjitur me ndërtesën kryesore të Ambasadës së Iranit në Damask më 1 prill i ka rritur shqetësimet se konflikti në Gazë mund të përhapet në tërë rajonin.
Burimet ushtarake thanë se raketat izraelite u shkrepën nga Largësitë e uzurpuara të Golanit dhe se sistemi mbrojtës raketor i Sirisë i interceptoi disa nga to, por disa të tjera e goditën cakun, duke e “shkatërruar plotësisht ndërtesën” dhe duke i vrarë dhe plagosur “të gjithë që ishin brenda”.
Irani, megjithatë, tha se konsullata ngjir u godit nga gjashtë raketa të shkrepura nga avionët luftarakë F35.
Izrael – sipas praktikës së vet të zakonshme – nuk e ka komentuar sulmin, por agjencia e lajmeve Reuters e citoi një zyrtar të lartë të Qeverisë izraelite duke thënë në kushte anonime se ata që u goditën “kanë qenë përgjegjës për shumë sulme ndaj aseteve izraelite dhe amerikane dhe se kishin plane për sulme shtesë”.
Shtëpia e Bardhë tha se është e vetëdijshme për këtë ngjarje. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mattheë Miller, tha se Uashingtoni “është i shqetësuar për cdo gjë që do të ishte përshkallëzuese, apo që shkakton rritje të konfliktit në rajon”.
Ambasadori i Iranit në Damask, Hossein Akbar, tha për televizionin sirian se pesë deri në shtatë persona janë vrarë nga ky sulm.
Ministria e Mbrojtjes e Sirisë tha se Izraeli e sulmoi konsullatën dhe se “të gjithë ata që ishin të pranishëm në ndërtesë u vranë apo plagosën”.
Teherani ka një prani të madhe ushtarake në Siri, derisa Izraeli ka kryer sulm të kohëpaskohshme kundër zonave të lidhura me Iranin në këtë vend, shpesh duke i vënë në shënjestër komandantët e IRGC-së. /REL