Ukraina dhe Gaza në qendër të vizitës së Sekretarit Blinken në Evropë

Ukraina dhe Gaza në qendër të vizitës së Sekretarit Blinken në Evropë

Bota April 01, 2024 - 18:32

Sekretari Blinken do ta nisë turin e tij në Paris ku pritet të takohet me Presidentin Emanuel Macron dhe të bisedojë mbi mbështetjen për Ukrainën, shmangien e përshkallëzimit më gjerë të luftës mes Izraelit dhe Hamasit dhe rikthimin e qëndrueshmërisë në Haiti.

Shtetet e Bashkuara dhe Franca kanë qenë ndër mbështetësit kryesorë të Ukrainës që kurse Rusia nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj fqinjit të saj dy vjet më pare.

Zoti Blinken pritet të udhëtojë drejt Brukselit për takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtarë të NATO-s, ndërsa Aleanca shënon 75 vjetorin e saj.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, zoti Blinken pritet të takohet me homologun ukrainas Dmytro Kuleba dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Të premten, pritet të zhvillohet një takim tre palësh mes Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe Armenisë mbi mbështetjen amerikane dhe europiane ndaj ekonomisë së Armenisë, ndërsa vendi përpiqet të zgjerojë partnerët tregtarë dhe t’i japë zgjidhje nevojave humanitare.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe kryeministri armen do të drejtojnë delegacionet e ndërsjella./VOA