Çfarë do të ndodhë në marrëdhëniet Uashington-Moskë pas zgjedhjeve në Rusi?

Çfarë do të ndodhë në marrëdhëniet Uashington-Moskë pas zgjedhjeve në Rusi?

Bota March 17, 2024 - 19:26

Gjashtë vite të tjera të Vladimir Putinit si president pothuajse me siguri do t’i lënë të pandryshuara marrëdhëniet SHBA-Rusi – në shikim të parë.

Kështu vlerëson një shkrim i BBC, sipas të cilit, marrëdhënia ndërmjet dy vendeve është në nivelin më të ulët historik.

Uashingtoni po e mbështet Ukrainën me para dhe armë, Joe Biden e ka quajtur Vladimir Putinin një “vrasës” dhe “kriminel lufte”, dy presidentët nuk kanë folur për më shumë se dy vjet.

Veç këtyre, qindra sanksionet të SHBA-së janë zbatuar dhe zyrtarët atje do të vazhdojnë ta shohin Rusinë si një kërcënim të rëndësishëm për sigurinë kombëtare të Amerikës dhe aleatët e saj më të afërt.

Por, vë në pah shkrimi i BBC, për një kërcim tango, duhen dy persona.

“Dhe ka një njeri që shpesh sillet sikur do të donte të kërcente me presidentin Putin: Donald Trump”.

Trump e ka lavdëruar vazhdimisht liderin e Kremlinit dhe është skeptik për mbështetjen e Ukrainës.

Pas takimit të të dyve këtë muaj, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban tha se Trump “nuk do të jepte asnjë qindarkë” për të ndihmuar ukrainasit nëse ai rimarrë Presidencën.

Edhe komentet e Trump për NATO-n janë “muzikë e këndshme për veshët e Vladimir Putinit”.

Ish-Presidenti ka përbuzur parimin bazë të aleancës ushtarake – artikullin për mbrojtjen e ndërsjellë të anëtarëve.

Dhe presidenti Biden e quan atë “të rrezikshëm”.

Pyetja që shtron shkrimi i BBC, është: A mund të ndryshojnë rrënjësisht marrëdhëniet SHBA-Rusi nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë?

Dhe përgjigja që vjen më pas është: Është e mundur.

Por çdo lëvizje për të përmirësuar lidhjet me Moskën, ose për të sakrifikuar Ukrainën, ka të ngjarë të përballet me rezistencë të ashpër, vlerëson në fund shkrimi: si Kongresi ashtu edhe aleatët e Amerikës jashtë vendit do ta kundërshtojnë fort. /Telegrafi