Vuçiq: Sanksionet kundër Rusisë nuk përmenden në deklaratën e Samitit për Ukrainën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se deklarata e rënë dakord në Samitin për Ukrainën, që u mbajt në Tiranë, nuk i përmend sanksionet kundër Rusisë e as ndikimin keqdashës rus.
Kjo, sipas tij, u bë e mundur me kërkesë të Serbisë.
“Pjesëmarrësit ranë dakord që ta heqin pjesën për sanksionet dhe ndikimin keqdashës të Rusisë... Jemi informuar se kjo është pranuar. Nuk ka sanksione, nuk flitet për sanksione dhe nuk përmendet ndikimi keqdashës rus”, tha Vuçiqi.
Deklarata e Samitit për Ukrainën në Tiranë nuk është bërë ende publike.
Duke folur për gazetarët pas samitit, ai tha se nuk ishte e drejtë kërkesa e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që të mos hiqen këto pika.
“... sepse u thashë, nëse këtë e përjeton kështu një numër i madh prej jush, atëherë le t’i përfshijmë edhe disa që ne konsiderojmë se kanë ndikim keqdashës... dhe pastaj i kanë hequr”, tha Vuçiqi.
“U thashë se, pavarësisht dëshirës për të ruajtur ligjin ndërkombëtar dhe miqtë ukrainas, ne nuk mund ta pranojmë këtë”, shtoi presidenti serb.
Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës që ka nisur në shkurt të vitit 2022.
Beogradi zyrtar ka mbështetur vetëm disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara, që kanë kundërshtuar pushtimin rus. /REL