Bideni kërkon nga Kongresi miratimin e buxhetit dhe ndihmave për Ukrainën
Presidenti Joe Biden u kërkoi udhëheqësve demokratë dhe republikanë në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve të martën që të miratojnë shpejt buxhetin për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë dhe për të dërguar ndihmat ushtarake në Ukrainë, ose të përballen me pasoja të tmerrshme.
“Kemi shumë punë për të bërë”, tha Presidenti Biden në Shtëpinë e Bardhë, me nënpresidenten Kamala Harris në krah dhe katër udhëheqësit e ulur pranë tij.
Takimi i Shtëpisë së Bardhë u mbajt pothuajse dy muaj që kur kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson dhe udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer ranë dakord për një buxhet për shpenzimet e qeverisë në vlerë prej 1.59 trilion dollarësh për vitin fiskal që filloi më 1 tetor.
Pavarësisht kësaj marrëveshjeje, Kongresi nuk ka miratuar buxhetin për shpenzimet e qeverisë, kryesisht për shkak të kundërshtimeve brenda Partisë Republikane që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me një shumicë të vogël.
Zoti Biden tha se ai besonte se mund të arrihet një zgjidhje për financimin e qeverisë deri të premten, që është edhe afati se kur duhet shmangur mbyllja e pjesshme e qeverisë, e cila sipas tij do të ishte e dëmshme për ekonominë amerikane.
‘Financimi i ndihmave për Ukrainën po bëhet më urgjent çdo ditë’, tha Presidenti Biden gjatë takimit.
“Unë mendoj se pasojat e mosveprimit janë të tmerrshme”, tha ai ndërsa fliste për Ukrainën.
Buxheti po pengohet nga kërkesat e republikanëve të vijës së ashpër në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilët duan të shohin shkurtime të shpenzimeve qeveritare. Një grup republikanësh të djathtë e kanë sjellë qeverinë në prag të një mbylljeje ose mbylljeje të pjesshme tre herë në gjashtë muajt e fundit.
Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson shkëmbyen akuza ditët e fundit se kush ishte fajtori për ngërçin. Të hënën, zoti Schumer u tha gazetarëve se “demokratët po bëjnë gjithçka që munden për të shmangur një mbyllje të qeverisë”.
Nëse nuk miratohet buxheti, fondet për agjencitë që mbikëqyrin bujqësinë dhe transportin, mbarojnë të premten në mesnatë, ndërsa financimi për disa agjenci, përfshirë Pentagonin dhe Departamentin e Shtetit, do të marrë fund më 8 mars.
Paketa e shpenzimeve të qeverisë është e ndarë nga projektligji i ndihmës për sigurinë kombëtare që përfshin ndihmat për Ukrainën dhe Izraelin.
Dhoma e Përfaqësuesve është nën trysni për të miratuar paketën e sigurisë kombëtare prej 95 miliardë dollarësh që rrit ndihmën për Ukrainën, Izraelin si dhe Indo-Paqësorin. Ky legjislacion u miratua nga Senati me përkrahje dypartiake në fillim të këtij muaji, por zoti Johnson ka rezistuar që të paraqesë projektligjin për votim në Dhomën e Përfaqësuesve.
Shtëpia e Bardhë ka rritur trysninë publike ndaj zotit Johnson në javët e fundit ndërsa Ukraina shënoi përvjetorin e dytë të agresionit rus.
“Ajo që presidenti dëshiron të shohë është që ne duam të sigurohemi që interesat e sigurisë kombëtare të popullit amerikan të vihen në plan të parë dhe të mos përdoren për çështje politike”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre. /VOA