Stoltenberg: Ka ardhur koha që Turqia ta aprovojë anëtarësimin e Suedisë në NATO
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të premten se i ka thënë presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, se ka ardhur koha që ajo ta lejojë Suedinë të bëhet anëtare e aleancës ushtarake.
Turqia dhe Hungaria janë vendet e vetme të NATO-s që nuk e kanë aprovuar ende formalisht anëtarësimin e Suedisë në aleancë.
Stoltenberg tha për Associated Press se i bëri thirrje Turqisë ta finalizojë procesin gjatë një takimi me presidentin Erdogan të premten në margjinat e samitit të klimës në Dubai.
“E takova presidentin Erdogan mëngjesin e sotëm dhe ia përsërita mesazhin se ka ardhur koha për ta finalizuar procesin e pranimit për Suedinë”, tha Stoltenbergu.
Turqia e ka vonuar ratifikimin për më shumë se një vit, duke e akuzuar Suedinë se nuk po i merr seriozisht shqetësimet e Turqisë, përfshirë luftën e saj kundër militantëve kurdë dhe grupeve të tjera të cilat Ankaraja i vlerëson si kërcënim për sigurinë e vet.
Gjërat ndryshuan gjatë një samiti të NATO-s në korrik, ku Erdogani pati njoftuar se do t’i dorëzonte në Parlamentin turk dokumentet e pranimit të Suedisë, por një debat rreth kësaj çështje në Komisionin e Punëve të Jashtme përfundoi pa ndonjë vendim muajin e kaluar.
Stoltenberg nuk ishte në gjendje të thoshte se kur mund të kompletohet procesi i ratifikimit.
“Nuk jam në gjendje ta jap një datë të saktë, por e mirëpres faktin se para disa javëve presidenti Erdogan i dorëzoi dokumentet për ratifikim në Parlamentin turk”, tha shefi i NATO-s.
Suedia dhe Finlanda hoqën dorë nga politika e neutralitetit ushtarak dhe aplikuan për t’iu bashkuar NATO-s, pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Finlanda iu bashkua NATO-s në prill.
Pranimi i një anëtari të ri duhet të aprovohet nga të gjithë anëtarët ekzistues të aleancës. /REL