Raportohet për dy të vdekur pas shpërthimit të një makine në kufirin SHBA-Kanada
Foto: Reuters

Raportohet për dy të vdekur pas shpërthimit të një makine në kufirin SHBA-Kanada

Bota November 22, 2023 - 22:01

Një makinë ka shpërthyer në një pikëkalimin kufitar në anën amerikane të urës SHBA-Kanada në Ujëvarën e Niagarës, duke detyruar autoritetet që të mbyllin për qarkullim këtë pikëkalim.

Dy persona janë gjetur të vdekur brenda makinës që shpërtheu, tha një zyrtar për Associated Press i cili foli në kushte anonimiteti.

“Është e qartë se është një situatë serioze në Ujëvarën e Niagarës”, tha kryeministri kanadez, Justin Trudeau, teksa ishte në Parlament. Më pas ai u tha ligjvënësve se i duhej të largohej nga Parlamenti për të marrë më shumë informacione për këtë ngjarje.

Shpërthimi ndodhi në urën Rainbow, në anën e SHBA-së. Kjo urë lidh të dyja shtetet dhe kalon përmes Ujëvarës së Niagarës. Tri ura të tjera që lidhin SHBA-në dhe Kanadanë u mbyllën pas kësaj ngjarjeje, si masë parandaluese.

Autoritetet në Kanada nisën që të kontrollonin të gjitha makinat dhe Trudeau tha se “masat shtesë” po ndërmerren në pikat kufitare të shtetit.

Byroja Federale e Hetimit (FBI), njoftoi se po heton shpërthimin, ndërkaq ekipet policore për mjete shpërthyese dilën në vendin e ngjarjes.

Sipas fotografive të publikuara në mediat sociale, shihet tym i madh duke dalë afër pikëkalimit kufitar dhe makina që shpërtheu gjendet shumë pranë kufirit.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland, dhe guvernatorja e Nju Jorkut janë informuar për këtë ngjarje.

Ndërkaq, komisioni i urës në Ujëvarën e Niagarës njoftoi se ka mbyllur tri pikëkalimet kufitare. /Rel