Erdogan: Izraeli është shtet terrorist
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Izraeli është shtet terrorist që po kryen krime lufte dhe po shkel ligjet ndërkombëtare në Gazë, duke ripërsëritur se Hamasi palestinez nuk është organizatë terroriste.
Siç raporton The Guardian, Erdogani ka theksuar se Hamasi është parti politike që është zgjedhur nga palestinezët, transmeton Telegrafi.
Duke iu drejtuar ligjvënësve në parlament, raporton Reuters, Erdogani i bëri thirrje gjithashtu Benjamin Netanyahut të njoftojë nëse Izraeli ka bomba bërthamore apo jo.
Erdogani vazhdoi duke thënë se Turqia do të punojë në skenën ndërkombëtare për të siguruar që izraelitët të njihen si terroristë.
Turqia tërhoqi diplomatët nga Izraeli pas reagimit të Izraelit ndaj sulmit të 7 tetorit nga Hamasi.
Izraeli kurrë nuk ka bërë të ditur publikisht nëse ka armë bërthamore, megjithëse më herët në luftën kundër Hamasit, një ministër në qeverinë e Netanyahut tha se hedhja e armëve bërthamore në Rripin e Gazës ishte një opsion.
Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ndodhet në Kajro, ku po takohet me homologun e tij egjiptian Abdel Ghaffar për të diskutuar për furnizimin me ndihma në Gaza dhe transferimin e disa pacientëve në Turqi.