Makth për foshnjat dhe shtatzënat në Gazë, disa gra lindin në rrugë
Mohammed Kulab është një foshnjë dhe është fëmija i shtatë në familjen e tij, i cili ka lindur disa javë pas fillimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
“Ne nuk duhet të lindim në këto kushte,” tha nëna e tij, Fadua Kulab, e cila la shtëpinë e saj në Rafah për t’u vendosur me familjen e saj në një qendër të OKB-së në pjesën jugore të Rripit të Gazës.
Atje ajo shpreson t’i shpëtojë sulmeve ajrore nga Izraeli, i cili ka bombarduar pa pushim enklavën palestineze që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor që vrau më shumë se 1200 njerëz, kryesisht civilë.
“Lindja e tij ishte përvoja më e vështirë e jetës sime”, tha Kulab, e cila thotë se është e rraskapitur dhe e paaftë për të mbrojtur fëmijët e saj.
Më shumë se 11,000 njerëz, kryesisht civilë, duke përfshirë më shumë se 4,500 fëmijë, janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, sipas ministrisë së shëndetësisë të Hamasit.
Sipas këtij burimi, gjashtë foshnja të lindura para kohe kanë vdekur ditët e fundit për shkak të mungesës së energjisë elektrike në spitalet në pjesën veriore të Rripit të Gazës, që është më e prekura nga konfliktet.
Ashtu si shumë nëna të të porsalindurve me të cilët foli AFP në Gaza, nëna e Mohammedit thotë se ai refuzon të ushqehet me gji. Nënat në gji normalisht duhet të pinë tre litra ujë në ditë. Por aksesi në ujë të pastër dhe ushqim po bëhet gjithnjë e më i vështirë në Gaza çdo ditë.
Kulab gjithashtu po përpiqet të gjejë ushqime dhe pelenat për fëmijë. Në moshën 37-vjeçare, Nazua Salem mban në krahë djalin e saj të dytë, të mbështjellë me shumë batanije.
I porsalinduri është me verdhëz, por sot në Gazë më shumë se gjysma e spitaleve janë jashtë shërbimit dhe pjesa tjetër nuk ka karburant të mjaftueshëm.
Për të reduktuar rrezikun e problemeve neurologjike, i porsalinduri duhet të ekspozohet ndaj rrezeve të diellit, por Salem heziton për shkak të “erërave dhe bombardimeve”.
Pluhuri, i cili është kudo për shkak të bombardimeve, është një tjetër kërcënim, veçanërisht për foshnjat e lindura para kohe që vuajnë nga probleme të frymëmarrjes.
Në Rripin e Gazës, ka 50,000 gra shtatzëna dhe më shumë se 180 gra lindin çdo ditë, pas pasur një vend se ku të shkojnë, tha Dominic Allen, përfaqësues i Fondit të OKB-së për Popullsinë (UNFPA) në territoret palestineze. /abcnews