BE-ja digjitalizon vizat për zonën Schengen

BE-ja digjitalizon vizat për zonën Schengen

Bota November 13, 2023 - 17:32

Njerëzit që duan të aplikojnë për vizë për t’i vizituar vendet e zonës Schengen së shpejti do të duhet ta bëjnë këtë përmes një platforme online. Ky ndryshim u miratua të hënën nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE).

Shtetasit kosovarë pritet të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen nga 1 janar 2024, pasi Parlamenti Evropian e miratoi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën në fillim të këtij viti.

Zona Schengen përbehet nga 23 prej 27 vendeve anëtare të BE-së, por edhe nga vende si Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.

Ndryshimi i sotëm i BE-së, pas një procesi të gjatë legjislativ, do të futet në fuqi pasi të ketë përfunduar puna teknike, për të cilën nevojiten disa muaj, dhe pasi të jetë publikuar në gazetën zyrtare të BE-së.

Vendimi drejt digjitalizimit të procesit të vizave ka të bëjë edhe me shfuqizimin e vendimit për vendosjen e një letre ngjitëse në pasaportat e aplikantëve, që nënkupton se nuk nevojitet më caktimi i terminëve nëpër ambasada apo zyra që ofrojnë këto shërbime.

“Sistemi online i vizave do ta thjeshtëzojë procesion e aplikimit për udhëtarët”, tha ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska.

Sapo të jetë funksional, njerëzit që aplikojnë për qëndrime të shkurtra në zonën Schengen do t’i ngarkojnë dokumentet, të dhënat dhe kopjet elektronike të dokumenteve të veta të udhëtimit me të dhëna biometrike, pastaj do ta bëjnë një pagesë - gjithçka përmes platformës online.

Nëse kërkesa e tyre pranohet, atëherë ata do ta pranojnë një barkod të nënshkruar në mënyrë kriptografike, për ta printuar apo për ta ruajtur në mjetet e veta.

Por, ata që aplikojnë për herë të parë, apo ata me pasaporta të reja apo me të dhënat të ndryshuara biometrike, mund të detyrohet prapëseprapë të caktojnë termin fizikisht./rel