Dy viktima nga zjarret në Siçili, evakuohet hoteli me 700 turistë

Dy viktima nga zjarret në Siçili, evakuohet hoteli me 700 turistë

Bota September 24, 2023 - 00:19

Dhimbja dhe dëmet që lanë pas zjarret e përmasave të frikshme në korrik dhe gusht, të cilat shkaktuan viktima dhe dogjën mijëra hektarë pyje e dhjetëra banesa në Itali, janë ende të freskëta për zonat e prekura.

Por pa kaluar shumë kohë, rajoni i Siçilisë është goditur sërish nga zjarre me përmasa të mëdha.

Këtë herë është prekur më rëndë pjesa veriore e ishullit, ku të paktën dy persona kanë humbur jetën tragjikisht nga pyjet në flakë, ndërsa rreth 700 turistë në hotelin Costa Verde, pranë Cefalu janë evakuuar me shpejtësi.

Lajmi për viktimat konfirmohet nga agjencia e Mbrojtjes Civile dhe mediat italiane.

Një prej tyre është një grua 42-vjeçare, e cila humbi jetën në përpjekje për të shpëtuar kuajt e saj në Cefalù, në lindje të Palermos. Babai dhe vëllezërit e saj ishin me të, por viktima sipas autoriteteve është çorientuar nga i nxehti dhe tymi duke u rrëzuar në një përrua.

Gjithashtu një 68-vjeçar vdiq duke u përpjekur të shpëtonte nga shtëpia e tij e përfshirë nga flakët në Balestrate, në perëndim të Palermos.

Sakaq, shërbimi meteorologjik parashikon reshje shiu nga e shtuna e 23 shtatorit dhe për shumë ditë në rajon, gjë që do të ndihmojë punën e zjarrfikësve në Sicilinë veriore. /a2cnn