SHBA-ja zotohet për investime të reja për mbështetje të demokracive
Shtetet e Bashkuara kanë thënë të mërkurën se do t’i ndajnë 225 milionë dollarë për të investuar në mbështetje të demokracive, teksa rritet shkalla e autokracisë në botë.
Sekretari amerikan i Shtetit dhe Samantha Power, administratore e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) do të flasin më shumë për këtë ndihmë në një takim të organizuar në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Një pjesë e mirë e pakos - 110 milionë dollarë – do të ndahen për projekte të sektorit privat në Nepal, ku sistemi politik ka nisur të stabilizohet prej arritjes së një marrëveshjeje më 2006, e cila i ka dhënë fund luftës civile, në të cilën kanë vdekur më shumë se 17.000 njerëz.
Ndihma për Nepalin do të fokusohet në investime në sektorin privat, sidomos bizneset e vogla dhe krijimin e një transporti të qëndrueshëm.
Ndihmë do të ofrohet edhe për hapje të vendeve të punës, për krijim të qasjes llogaridhënëse për financat publike dhe aspekte tjera që shihen kyçe për demokracinë.
Në pako përfshihen edhe grante tjera për shtete si Moldavia, Tanzania dhe Zambia.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të siguruar që demokracia funksionon për të gjithë”, ka thënë USAID-i përmes një deklarate.
Blinken dhe Power e kanë krijuar vitin e kaluar projektin “Përhapja e demokracisë”, teksa lufta në Ukrainë ngre alarmin se demokracitë janë të kërcënuara nga shtetet autoritare sikurse Rusia dhe Kina.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL