Azerbajxhani nis “operacion të ri antiterror” në Nagorno-Karabak
Azerbajxhani ka nisur “operacionet antiterroriste” në rajonin e Nagorno-Karabakut dhe ka kërkuar “tërheqjen e plotë” të forcave armene si kusht për paqen në territorin e diskutueshëm.
Ministria e Punëve të Jashtme e Armenisë u bëri thirrje trupave paqeruajtëse ruse atje që të ndërhyjnë dhe të ndalojnë "agresionin në shkallë të plotë" të Bakus kundër popullsisë vendase.
Autoritetet armene etnike në Nagorno Karabakh thanë se kryeqyteti de fakto i rajonit, i njohur si Stepanakert dhe qytete të tjera ishin "nën bombardime të rënda", transmeton Zeri.info.
“Azerbajxhani po vazhdon spastrimin etnik të Artsakh/Nagorno Karabakh duke dëbuar me forcë 120 mijë banorë nga shtëpitë e tyre”, thanë zyrtarët në mediat sociale.
Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel i kërkon Azerbajxhanit të ndalojë menjëherë ofensivën e tij ushtarake.
“Lajme shkatërruese vijnë sot nga ish rajoni i Nagorno-Karabakut. Veprimet ushtarake të Azerbajxhanit duhet të ndërpriten menjëherë për të lejuar një dialog të vërtetë midis armenëve të Bakusë dhe Karabakut”, shkroi Micheli në një postim në rrjetet sociale.
Territori Artsakh/Nagorno Karabak njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por banorët e tij janë kryesisht armenë etnikë dhe kanë qeverinë e tyre, e cila ka pasur lidhje të ngushta me qeverinë në Armeninë fqinje, por nuk është njohur zyrtarisht nga ajo ose nga shtetet e tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara. /Zëri