Zelensky: Epërsia ajrore e Rusisë pengon kundërsulmin tonë

Zelensky: Epërsia ajrore e Rusisë pengon kundërsulmin tonë

Bota September 08, 2023 - 19:40

Presidenti i Ukrainës pranoi sot se epërsia ajrore e Rusisë po ndalon një kundërofensivë ukrainase. Volodymyr Zelensky shprehu pakënaqësinë e tij për një ngadalësimin e ndihmës ushtarake nga Perëndimi dhe vonimin e sanksioneve kundër Moskës.

“Meqenëse ne nuk kemi një forcë ajrore dhe Rusia ka, ata na bllokojnë nga ajri. Ata po ndalojnë kundërsulmin tonë”, theksoi Zelensky nga Kievi, duke dënuar “proceset që po bëhen më të ndërlikuara dhe më të ngadalta, në lidhje me sanksionet apo furnizimin me armë nga Perëndimi”.

“Lufta po ngadalësohet, ne e njohim këtë fakt”, tha ai.“Kur partnerët tanë thonë ‘cili është hapi tjetër në kundërsulm? Përgjigja ime është se sot hapat tanë janë ndoshta më të shpejtë se paketat e reja të sanksioneve’ që synojnë Rusinë,” tha presidenti ukrainas.

Kievi ankohet rregullisht për ritmin e ngadaltë të masave hakmarrëse që synojnë ngadalësimin e operacionit ushtarak të Rusisë.

Zelensky përsëriti se nëse Perëndimi do të dorëzonte më shpejt municione me rreze të gjatë, të cilat bëjnë të mundur goditjen e pozicioneve të mbrojtjes ruse, pjesën e pasme dhe zinxhirin e furnizimit rus, ushtria ukrainase gjithashtu do të përparonte më shpejt.