Meksika pritet të ketë për herë të parë një grua si presidente

Meksika pritet të ketë për herë të parë një grua si presidente

Bota September 07, 2023 - 12:38

Meksika duket se do të zgjedhë për herë të parë grua në krye të shtetit, pasi Claudia Sheinbaum u konfirmua si kandidate e partisë qeverisëse në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, raporton BBC.

Ish-kryebashkiakja e Mexico City do të përballet me Xochitl Galvez, e cila drejton koalicionin opozitar. Sheinbaum, shkencëtare 61-vjeçare, është aleate e ngushtë e presidentit të majtë Andres Manuel Lopez Obrador.

“Ne do të fitojmë më 2024”, u tha ajo mbështetësve të saj në një fjalim. Sheinbaum fitoi garën brenda partisë së vet kundër pesë pretendentëve të tjerë. Ajo fitoi në secilin nga pesë sondazhet, duke marrë mesatarisht 39 për qind të votave, ka njoftuar partia Morena. Një udhëheqëse studentore në vitet 1980, Sheinbaum shërbeu si sekretare e mjedisit në Mexico City kur Lopez Obrador ishte kryetar bashkie nga viti 2000 deri në 2005.

Ajo shërbeu si kryebashkiake në Mexico City nga viti 2018 deri në fillim të këtij viti kur u largua për të kandiduar për presidente.

“Vajzat shohin një shembull tek unë. Të qenit presidentja e parë grua do të ishte historike në vendin tonë”, ka thënë Sheinbaum për revistën Gatopardo.

Sondazhi aktual tregon se Sheinbaum është kandidatja kryesore, pas Lopez Obrador që gëzon mbështetje më shumë se 60 për qind. Presidentit aktual i kërkohet me kushtetutë të largohet nga posti pas një mandati të vetëm gjashtëvjeçar. /abcnews