Piloti rus që dezertoi në Ukrainë do t’i marrë gjysmë milioni dollarë

Piloti rus që dezertoi në Ukrainë do t’i marrë gjysmë milioni dollarë

Bota September 06, 2023 - 12:20

Piloti i helikopterit rus Mi-8, Maksim Kuzminov (28 vjeç), do të marrë 500 mijë dollarë në hryvnia, monedha kombëtare e Ukrainës. Inteligjenca ukrainase u kërkoi rusëve të tjerë të ndiqnin shembullin e tij.

“Ata do të marrin para në monedhën kombëtare, sigurisht. Ekziston një ligj zyrtar i nënshkruar nga presidenti i Ukrainës në prill 2022, për kompensimin e duhur kur një person kalon në anën e Ukrainës dhe sjell pajisje ruse me vete”, ka thënë Andri Yusov, një përfaqësues i Shërbimit Informativ të Mbrojtjes së Ukrainës.

Ai shtoi se Ukraina është një shtet demokratik dhe kushtetues që përmbush detyrimet e veta dhe respekton ligjin ndërkombëtar dhe se rusët që nuk duan të bëhen kriminelë lufte mund të dorëzohen, të shkojnë në anën e Ukrainës dhe kështu të mbrojnë dinjitetin dhe ndërgjegjen e tyre.

Më 23 gusht, u zbulua se një helikopter Mi-8 i forcave të armatosura ruse përfundoi në Ukrainë si rezultat i një operacioni special të gjatë të Shërbimit Informativ të Mbrojtjes së Ukrainës. Piloti dhe familja e tij janë në Ukrainë. Familja e tij u largua nga Rusia më herët. Mi-8 mbeti në Ukrainë, ashtu si edhe komponentët e avionit luftarak që supozohej t’u dorëzonte rusëve.

Në një konferencë për shtyp më 5 shtator, Kuzminov zbuloi detaje të reja të operacionit special, duke thënë se për mundësinë e dorëzimit me helikopter ka dëgjuar fillimisht nga policia. Më pas në operacion u përfshi edhe shërbimi i inteligjencës së mbrojtjes. /abcnews