Lufta në Ukrainë, në stilin propagandues, arrin në kinematë ruse
Foto: AP

Lufta në Ukrainë, në stilin propagandues, arrin në kinematë ruse

Bota September 02, 2023 - 09:09

Filmi shtjellohet rreth një violinisti të njohur belg, i cili mbërrin në Kiev për të performuar. Data është shkurt 2022, dhe udhëtimi i tij ndryshon kur Rusia fillon ta bombardojë Ukrainën. Muzikanti i mbijeton një vargu “krimesh çnjerëzore dhe provokimesh të përgjakshme nga nacionalistët ukrainas”, pasi ai dëshiron t’i tregojë botës “se si ishte lufta në të vërtetë”.

“Dëshmitari” – një dramë e sponsorizuar nga shteti që ishte premierë në Rusi më 17 gusht – është filmi i parë artistik për pushtimin 18-mujor. Ky film i përshkruan trupat ukrainase si neo-nazistë të dhunshëm, të cilët e torturojnë dhe vrasin popullin e vet. Njëri nga ta madje e vesh edhe një fanellë me Hitlerin në të; një tjetër shfaqet duke marrë drogë. Filmi madje e shfaq djalin e karakterit kryesor duke pyetur veten: “A nuk është Ukraina Rusi?”

Kjo është një narrativë që Kremlini është duke e promovuar që nga dita e parë e luftës – e gjitha e përmbledhur në një film.

Publikimi i “Dëshmitarit” u bë pasi autoritetet ruse njoftuan rreth një plani për ta rritur prodhimin e filmave që i lartësojnë veprimet e Moskës në Ukrainë dhe është pjesë e propagandës në rritje.

Por, në një epokë të informacioneve të menjëhershme dhe dezinformimit në kohë lufte dhe në kohë të tjera, lindin dy pyetje: A janë filmat propagandues vërtet efektiv? Dhe a janë hiç të mirë?

A do të ketë shikues?

Se a do të tërheqin shikues filmat e tillë është pikëpyetje e madhe. Filma të ngjashëm kanë qenë të tmerrshëm sa i përket mbushjes së arkave. Për më tepër, sociologët thonë se interesimi i njerëzve për ta përcjellë luftën është zbehur, dhe në ditët e sotme njerëzit thjesht duan të ikin nga mërzia dhe trishtimi i lajmeve nga Ukraina.

“Ne dëgjojmë vazhdimisht [nga të anketuarit] se është stres i madh, dhimbje e madhe”, thotë Denis Volkov, drejtor i Qendrës Levada, anketuesit kryesor të pavarur të Rusisë. Disa rusë, thotë ai, ngulin këmbë se “nuk bisedojnë, nuk shikojnë dhe nuk dëgjojmë” lajme për Ukrainën, në përpjekje për ta përballuar stresin.

Filmi është medium i rëndësishëm që qeveritë e kanë përdorur për t’i ndryshuar mesazhet patriotike – qysh nga kohët e hershme të Bashkimit Sovjetik deri te përdorimi në kohë lufte nga Gjermania naziste dhe Italia, e madje edhe nga Shtetet e Bashkuara gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Partë Botërore. Në kohët më moderne, themeluesi i Koresë së Veriut, Kim Il Sung dhe djali dhe pasuesi i tij, Kim Jong Il, vazhduan me filma të rregullt propagandues.

Filmat propagandues të sponsorizuar nga shteti janë përdorur edhe në Lindjen e Mesme në një shkallë deri diku të suksesshme. Lufta civile në Siri, për shembull, u bë pikë kyçe e telenovelave të Ramadan TV në dekadën e fundit, përfshirë e disave të cilat e mbështesnin presidentin e Sirisë, Bashar Assad. Irani vazhdimisht i financon filmat që i lartësojnë forcat paramilitare dhe të vijës së ashpër, të cilat i mbështet nëpër rajon.

Në Rusinë e sotme, propaganda si trillim nuk është përpjekje kuturu. Autoritetet ruse flasin haptazi për qëllimin e tyre për ta sjellë luftën në Ukrainë – apo më mirë thënë: narrativen ruse për të – në ekranin e madh.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka urdhëruar Ministrinë e Kulturës, për t’u siguruar që kinematë shfaqin në ekran dokumentare rreth “operacionit të veçantë ushtarak”, siç e quan Kremlini luftën në Ukrainë.

Ministria i ka bërë prioritet edhe temat gjatë ndarjes së fondeve shtetërore për filma. Kjo përfshin edhe “heroizmin dhe vetëmohimin e luftëtarëve rusë” në Ukrainë dhe “luftimin e manifestimeve moderne të nazistëve dhe ideologjisë fashiste” – një akuzë e rreme që Putini ua bën liderëve të Kievit.

Fondi shtetërore nga i cili krijuesit e filmave rusë mund të përfitojnë këtë vit është më i madh se kurrë më parë: 30 miliardë rubla ruse (rreth 320 milionë dollarë), të ofruara nga dy trupa qeveritarë dhe një organizatë shtetërore. Kjo është pjesa kryesore e industrisë së sotme, e cila ka vite që është tejet e varur nga financimi shtetëror.

Kritiku i filmave rusë, Anton Dolin, e përshkruan këtë si “sistem i mbrapshtë kur shteti është prodhuesi kryesor dhe më i pasur në vend”. Në një intervistë me Associated Press, Dolin theksoi se të gjithë filmat duhet të marrin licencë nga Ministria e Kulturës për t’u shfaqur.

Pra “mekanizmi i censurimit” funksionon edhe për ata të cilët nuk marrin para nga qeveria.

Si iu bashkua propaganda “kinemasë shumë të mirëfilltë”

Kjo nuk nënkupton se filmbërësit rusë, të cilët paguhen nga shteti, prodhojnë gjithmonë propagandë. Ka edhe “kinema shumë të mirëfilltë” atje, thotë eksperti i kulturës dhe kritiku, Yuri Saprykin.

Vërtet, disa filma të nominuar për Oscar nga Rusia kishin marrë fonde nga shteti – për shembull, filmi “Leviatani” nga regjisori Andrey Zvyagintsev, i cili u publikua më 2015 në Rusi dhe më vonë u kritikua nga Ministria e Kulturës si “anti-rus” për shkak të përshkrimit kritik të realitetit rus. Ka pasur edhe shumë hite vendore: drama shumë të shikuara historike, filma të suksesshëm fantastiko-shkencor, portretizim të atletëve legjendarë sovjetikë.

Në përgjithësi, deri së fundmi industria e filmit e Rusisë ishte konsideruar si “e mirë, që prodhon filma të mirë dhe që e sfidon regjimin nganjëherë”, thotë Gregory Dolgopolov, studiues i prodhimit të filmit dhe videos në Universitetin Nju Sauth Uells.

Pas luftës së shkurtër me Gjeorgjisë më 2008, televizioni shtetëror rus e shfaqi një film që pasqyronte versionin e Moskës sesi fqinji i saj e nisi konfliktin. Rrëfimi i tij ishte disi i ngjashëm me atë të filmit “Dëshmitari”: një amerikan dhe miku i tij rus janë dëshmitarë të fillimit të luftës dhe nisën në një mision për ta sjellë të vërtetën para botës, derisa forcat e sigurisë së Gjeorgjisë përpiqen t’i ndalin ata.

Kjo ndodhi përsëri më 2014 pas aneksimit të jashtëligjshëm të Krimesë – dhe këtë herë, narrativet e Kremlinit u shpërndan nëpër kinematë e filmit.

Filmi i vitit 2017 “Krimea” e arsyetoi uzurpimin e këtij gadishulli ukrainas nga Moska dhe e portretizoi si dhunë të pakuptimtë një kryengritje popullore në Kiev më 2014, gjatë të cilës u rrëzua presidenti pro-Kremlinit i Ukrainës, me ukrainasit duke i vrarë brutalisht bashkatdhetarët e vet. Jo vetëm që ishte sponsorizuar nga shteti, por krijuesit e tij thanë se idenë për të e dha ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu. /REL

Shkrimi e plotë mund ta lexoni KETU: