Vuçeviq: Serbia s’i shet dhe as s’do t’i shesë armë Ukrainës
Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i ka mohuar sot gjetjet që kanë dalë nga dokumentet sekrete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës se Serbia ka rënë dakord ta furnizojë me armatim Ukrainën.
Vuçeviqi ka thënë Serbia nuk i ka shitur dhe as nuk do t’i shesë armë palës ukrainase ose ruse dhe as vendeve që dëshirojnë të përfshihen në këtë çështje.
“Qëllimi i dikujt është pa dyshim të destabilizojë vendin tonë dhe ta tërheqë atë në një konflikt, në të cilin ne nuk do të marrim pjesë. Ne i qëndrojmë vazhdimisht politikës sonë të vendosur”, tha Vuçeviqi për Tanjug-un, transmeton Klankosova.tv.
Sot Reuters ka publikuar një artikull, në të cilin thuhet se Serbia refuzoi të ofronte trajnime për forcat ukrainase, por ishte zotuar të dërgonte armatim ose e kishte furnizuar ato tashmë. Gjithashtu, aty thuhet se Serbia kishte vullnetin politik dhe aftësinë ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.