Komunat ende në pritje të Ministrisë së Financave për faljen e tatimit në pronë
Foto: Ilustrim

Komunat ende në pritje të Ministrisë së Financave për faljen e tatimit në pronë

Bota April 01, 2023 - 21:18

Rritja e faturave të tatimit në pronë, ka bërë që të hyrat e komunave të shënojnë rënie, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Jeton Abazaj, udhëheqës i kolegjiumit për financa, në Asociacionin e Komunave të Kosovës, ka treguar se janë ende në pritje të Ministrisë së Financave, për t’iu kthyer përgjigje rreth propozimit për faljen deri në 100 eurove tatim paguesve.

Teksa ka shtuar se kanë pranuar ankesa nga komunat, se jo të gjithë qytetarët kanë bërë pagesat.
“Tashmë jemi edhe në përfundim të muajit të tretë, me siguri do i bëjmë analizë, por në dy muajt e parë vërejmë që ka një tendencë të rënies, të të hyrave, nëse e kthejmë edhe më ndryshe dmth fatura vjetore përqindja e pagesës së saj është më e ulët sesa e vitit të kalum, ka një hezitim të qytetarëve që vijn dhe pyesin se a do të ketë falje apo çka”, ka theksuar Jeton Abazaj – AKK.

Ai ka ftuar Ministrinë që sa më shpejtë të qartësojë këtë çështje.
“Ministri në një takim të komisionit për buxhet ka dhënë një premtim formal që do të ketë ligj pët faljen e borgjeve, mirëpo një gjë të tillë ende nuk kemi marr dicka nga ministra, me gjasë ministri po i mban në tavolinë të gjitha këto dhe smerr veprim, qytetarëve po u afrohet edhe data e pagesës së këstit të parë”, ka shtuar Jeton Abazaj – AKK.Qytetarët insistojnë se kjo rritje prej 100 për qind e tatimit në pronë, është e papërballueshme për ta.

“Një banesë e kam blerë, vjet e kam paguar 45 euro sivjet 88 euro, e kam paguar i kam kryer krejt, qysh e kam llogarit une 100% është rritë”, ka deklaruar Qazim Hajdari – Qytetar.

“Vallahi jo të përballueshme sjanë, me penzion dikush rrogat e vogla, me i rrit penzionet spo i rritin, cka me ba shteti i ka këto”, ka thënë Hamdi Sejdiu-  Qytetar.

Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, kanë kërkuar që Ministria tu dal në ndihmë qytetarëve, duke përsëritur kërkesën e tyre për pezullim të vlerësimit në pronë për këtë vit.

“Parimisht ajo ka qenë vetëm një deklarim vetëm i ministrit të Financave, deklarim jo i bazuar në realitet dhe jo i bazuar në rrethana se cfaredo të duhej të merreshin, ne si parti kemi propozuar propozime konkrete se si të dilet, nga kjo, megjithatë ne nuk kemi ndonjë nismë të qeverisë që ta ndryshojë këtë në favor të konsumatorit, në favor të atyre që kanë prona”, ka theksuar deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Ferat Shala.

Që nga e marta, Ministria e Financave nuk ka kthyer përgjigje, se sa komuna kanë kërkuar që të falen 100 euro të tatimit, dhe se kur do të ketë një vendim përfundimtar në lidhje me këtë./dukagjini