Udhëheqësi prorus i Bullgarisë refuzon të dërgojë avionë dhe tanke në Ukrainë
Me rezervat e saj të armëve të epokës sovjetike, Bullgaria, shtëpia e një industrie të lulëzuar armësh, mund të jetë një aleat kyç i Ukrainës, e cila është trajnuar dhe pajisur me armë të tilla në luftën e saj kundër forcave pushtuese ruse.
Bullgaria aktualisht ka parlamentin e shpërbërë dhe më 2 prill do t’i zhvillojë zgjedhjet parlamentare, të cilat janë zgjedhjet e pesta të parakohshme në dy vjet.
Në këtë kohë të pasigurisë politike, qeveria në detyrë nuk është në disponim që t’i ofrojë ndihmë me armë vdekjeprurëse Kievit.
Këtë e ka shfaqur edhe presidenti bullgar, Rumen Radev, i cili njihet për prirjet e tij në përkrahje të Kremlinit.
Radevi, një ish-pilot i forcave ajrore, fuqizoi qëndrimin të ashpër më 21 mars, duke mos u bashkuar me një mori shtetesh të BE-së për të furnizuar Ukrainën me të paktën 1 milion predha artilerie gjatë vitit të ardhshëm.
"Bullgaria nuk mbështet dhe nuk është pjesë e urdhrit të përgjithshëm për furnizimin me predha Ukrainën", tha Radevi.
"Vendi ynë do të mbështesë përpjekjet diplomatike evropiane për të rivendosur paqen", tha ai.
Radevi shtoi gjithashtu se Bullgaria nuk do t'i japë Ukrainës avionë luftarakë, sisteme të mbrojtjes raketore ose tanke për sa kohë që qeveria aktuale e përkohshme është në pushtet.
Radevi, së bashku me Dimitar Stojanov, ministrin në detyrë të mbrojtjes bullgare, kanë deklaruar së fundmi se transferimi i disa prej rezervave ushtarake të vendit, duke përfshirë tanket dhe avionët e kohës sovjetike, ose sistemet e mbrojtjes ajrore ‘S-300’, do të dobësonte mbrojtjen e vendit. Këto deklarime analistët i cilësuan të dyshimta.
Sofja po ashtu duket se nuk pranon një ofertë nga Uashingtoni: dhuroni pajisjet tuaja të epokës sovjetike në Ukrainë dhe Shtetet e Bashkuara do t'i zëvendësojnë ato me sisteme moderne ose para. Sllovakia dhe Greqia janë dy shtete të NATO-s që do ta pranojnë këtë ofertë të Uashingtonit.
Përfitimet e kësaj marrëveshjeje ishin të dukshme më 22 mars kur ministri sllovak i mbrojtjes Jaroslav Nad njoftoi se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Sllovakisë 12 helikopterë të rinj “Bell AH-1Z Viper” me rreth 75 për qind zbritje pasi Bratislava dërgoi avionët e saj luftarakë ‘MiG-29’ në Ukrainë.
Dhe Bullgaria sigurisht që ka nevojë të modernizojë forcat e saj të armatosura, argumenton Atanas Zapryanov, një ish-zëvendës ministër bullgar i mbrojtjes, duke pretenduar se shumica e rezervave të saj gjithsesi se është gati për t'u çmontuar.
“Ju garantoj se pas pesë vitesh, shënoni fjalët e mia, se do të thuhet se ky skrap është i kotë dhe ne duhet t'i hedhim dhe të blejmë të reja”, tha Zapryanovi për Shërbimin Bullgar të Radios Evropa e Lirë.
Në parlament, kundërshtimi për të ndihmuar ushtrinë e Ukrainës ka ardhur pikërisht nga Partia Socialiste Bullgare (BSP) dhe partia e ekstremit të djathtë Rilindja. Edhe qeveria pro-perëndimore e udhëhequr nga Petkovi që ishte në detyrë nga dhjetori 2021 deri në korrik 2022 nuk ishte në gjendje që me partnerët e saj të koalicionit ta kapërcejë atë kundërshtim.
Në maj 2022, parlamenti votoi vetëm në favor të riparimit të pajisjeve ushtarake ukrainase në uzinat në Bullgari, duke hedhur poshtë një ofertë të qeverisë për të dërguar një paketë armësh në Kiev.
Sidoqoftë, deri në dhjetor 2022, fraksioni pro-perëndimor ishte në gjendje të merrte miratimin për paketën e parë të armëve për Ukrainën, megjithëse jo pajisje të rënda. Lista e armëve në atë paketë ishte e klasifikuar, por zyrtarët qeveritarë kishin thënë se Sofja do të dërgonte kryesisht armatime të lehta dhe municione.
Deri atëherë, Bullgaria, së bashku me Hungarinë e udhëhequr nga kryeministri miqësor ndaj Kremlinit, Viktor Orban, kishin qenë dy kombet e vetme në BE që refuzuan thirrjet e Ukrainës për ndihmë ushtarake. /REL
Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: