Macroni i mbijeton votëbesimit, të rinjtë kundër presidentit për moshën e pensioneve

Macroni i mbijeton votëbesimit, të rinjtë kundër presidentit për moshën e pensioneve

Bota March 21, 2023 - 15:01

Në Paris dhe qytete të tjera të Francës janë intensifikuar protestat pasi qeveria me një diferencë të ngushtë votash i mbijetoi dy votëbesimeve.

Manifestimet u shkaktuan kur kryeministrja Elisabeth Borne përdori kompetenca speciale kushtetuese, konkretisht nenin 49/3 për të çuar përpara draftin për rritjen e moshës së pensionit në 64 vjeç.

“Ka shumë të rinj këtu. Njerëzit mendojnë se kjo nuk ka të bëjë me ne, por është e kundërta. Nëse prindërit tanë do të detyrohen të punojnë më gjatë, atëherë gjërat do të përkeqësohen, pasi ky është trendi që kemi ndjekur në 20 vitet e fundit me një rritje të politikave liberale që i përgjigjen kapitalizmit. Ndërkohë që rinia ka vendosur se janë njerëzit që kanë rëndësi”, tha Shola, studente e shkencave politike.

“Kjo është shumë e rëndësishme, pasi në këtë mënyrë na kanë dëmtuar. Nuk shohim një të ardhme dhe ajo e ardhme e vogël që kishim më parë përmes të drejtave sociale po zhbëhet. Prandaj jemi këtu”, u shpreh Marie, studente për politikat migratore.

“Është natyra radikale e kësaj lëvizjeje që do ta bëjë Macron të përkulet. Ajo ka shkaktuar një krisje që nuk do të mbyllet”, theksoi Edgar, student sociologjie.

Mbi 100 persona u arrestuan në Paris pas përballjes me policinë. Presidenti Emmanuel Macron thotë se popullsia në plakje e Francës e bën skemën aktuale të pensioneve të papërballueshme.

Drafti tani pritet të kthehet në ligj, por tensionet në rrugë kanë gjasa të vazhdojnë me një ditë madhore aksioni dhe grevash, e planifikuar për të enjten.