
Parisi “pushtohet” nga mbeturinat dhe minjtë, shkak greva e punonjësve të pastrimit
Kontejnerët dhe koshat e vegjël të mbeturinave në pjesë të mëdha të Parisit dhe mijëra tonelata mbeturina që askush nuk i merr në rrugët e kryeqytetit francez – është rezultat i grevës së punëtorëve të pastrimit që filloi një javë më parë, raporton BBC.
“Është papastërti dhe kjo tërheq minjtë dhe buburrecat”, u ankua një qytetar i Parisit gjatë një interviste dhënë për një radio franceze.

Punëtorët janë në grevë për shkak të propozimit të qeverisë së Emmanuel Macron, për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64. Qytete të tjera, duke përfshirë Nantes, Rennes dhe Le Havre, u prekën gjithashtu nga greva.
Punëtorët e pastrimit iu bashkuan grevës një javë më parë për shkak të daljes në pension të vonuar, dhe autoritetet e Parisit thonë se gjysma e lagjeve të qytetit të mbuluara nga punonjësit e bashkisë, janë prekur nga aksioni.
Tre kantiere të përpunimit të mbetjeve janë bllokuar dhe i katërti është pjesërisht i mbyllur. Të hënën, autoritetet e Parisit njoftuan se 5.600 tonelata mbeturina nuk ishin mbledhur ende.
Një komentator në radio Europe1 e përshkroi situatën si një “tavolinë suedeze” për gjashtë milionë minjtë në Paris, dyfishi i popullsisë.

Në 10 qarqet e mbuluara nga kompanitë private, grumbullimi i mbeturinave u krye pothuajse normalisht, njoftoi bashkia e qytetit. Disa raporte tregojnë se aktivistët po përpiqeshin të parandalonin mbledhjen e vazhdueshme të mbeturinave.