I cilësoi grupet etnike ruse si mizore, Rusia i kundërpërgjigjet Papa Franceskut: Jemi një familje

I cilësoi grupet etnike ruse si mizore, Rusia i kundërpërgjigjet Papa Franceskut: Jemi një familje

Bota November 29, 2022 - 12:19

Papa Francesku i ka përshkruar dy nga grupet e pakicave etnike të Rusisë, çeçenët dhe burjatët, si disa nga trupat “më mizore” që luftojnë në Ukrainë, sipas CNN.

“Më mizorët janë ndoshta ata që janë nga Rusia, por nuk janë të traditës ruse, si çeçenët, burjatët e kështu me radhë”, tha Papa në një intervistë të botuar të hënën.

Rusia i ka konsideruar këto deklarata si “çoroditje” dhe ka thënë se grupet kombëtare janë “një familje”. Përgjatë intervistës, Papa është pyetur për atë që konsiderohet si ngurrim nga ana e tij për të dënuar drejtpërdrejt Rusinë për luftën e nisur.

Papa ka thënë po ashtu se “ajo që po pushton është Rusia”.

Çeçenët janë me origjinë nga Çeçenia, rajon në jugperëndim të Rusisë dhe janë kryesisht myslimanë. Burjatët, grup etnik mongol kanë origjinë nga lindja e Siberisë dhe funksionojnë sipas praktikave të budizmit.

Rusia përbëhet nga shumë republika me grupe të ndryshme etnike dhe fetare. Feja kryesore në këtë shtet është ajo ortodokse. Papa Francesku ka thënë se ka biseduar disa herë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes telefonit, por edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, përmes përfaqësuesve të Selisë së Shenjtë në Rusi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /abcnews