
Rusia thotë se centrali në Zaporizhzhia mbetet nën kontrollin e Moskës
Centrali bërthamor në Zaporizhzhis, qytet jugor në Ukrainë, mbetet nën kontrollin e Rusisë, kanë thënë autoritetet e instaluara nga Moska në qytetin e afërt, Enerhodar, pasi një zyrtar ukrainas ka sugjeruar që forcat ruse janë duke u përgatitur për t’u larguar.
“Mediat janë duke përhapur vazhdimisht lajme të rreme që Rusia është duke planifikuar tërheqjen nga Enerhodari dhe largimin nga centrali. Ky informacion nuk është i vërtetë”, ka thënë administrata e instaluar nga Rusia.
Udhëheqësi i kompanisë shtetërore të energjisë në Ukrainë ka thënë se ka shenja që forcat ruse mund të jenë përgatitur për t’u larguar nga pjesa më e madhe e centralit në Zaporizhzhia, të cilin e kanë pushtuar në mars, pak pas nisjes së luftës në Ukrainë.
Ukraina, e cila është përballur me aksidentin më të rëndë bërthamor në Çernobil më 1986, dhe Rusia, në anën tjetër, kanë fajësuar njëra-tjetrën për bombardimet në kompleksin në Zaporizhzhia javë më parë.
Të dyja kanë paralajmëruar për rrezikun e një katastrofe bërthamore.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike dëshiron që të krijojë një zonë mbrojtëse rreth centralit bërthamor. /rel