Zelensky: 6 milionë banorë ende pa energji, dimri më i vështirë që do ta kujtojmë të gjithë
Presidenti i Ukrainës thotë se gjashtë milionë familje ukrainase janë ende pa energji elektrike, pas sulmeve masive me raketa që goditën vendin këtë javë.
“Që nga kjo mbrëmje, ndërprerjet e energjisë vazhdojnë në shumicën e rajoneve dhe në Kiev”, tha Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të natës.
Numri i familjeve të prekura është ulur përgjysmë që nga e mërkura, shtoi ai.
Por miliona njerëz kanë mbetur pa dritë, ujë apo nxehtësi me fillimin e dimrit.
Duke folur në një fjalim video, Presidenti Zelensky tha se kryeqyteti dhe rajoni përreth tij janë ndër më të prekurit nga sulmet.
Ai tha se shumë banorë në qytet kanë qenë pa energji “për 20 apo edhe 30 orë”.
Ai tha se zona të tjera ndër më të prekurat janë rajonet e Odesës, në jug, Lviv në perëndim, si dhe Vinnytsia dhe Dnipropetrovsk që janë më qendrore.
Presidenti Zelensky u bëri thirrje të gjithëve që të përdorin pajisjet që përdorin energjinë me kursim: “Nëse nuk keni ndërprerje të energjisë, kjo nuk do të thotë se problemi ka mbaruar. Ju lutem, nëse keni energji elektrike, kjo nuk do të thotë se mund të ndizni disa pajisje elektrike të fuqishme në të njëjtën kohë.”
“Duhet të durojmë këtë dimër, një dimër që do ta kujtojnë të gjithë”, tha ai.
Kryeministri Denys Shmyhal tha se pavarësisht sulmeve, pothuajse e gjithë infrastruktura kritike e vendit është rilidhur, duke përfshirë gjëra të tilla si shërbimet e ujit, impiantet e prodhimit të nxehtësisë, spitalet dhe shërbimet e urgjencës.
Por njerëzit e zakonshëm vazhdojnë të përballen me ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike në çdo rajon të Ukrainës, tha ai.
Ekziston frika se shënjestrimi i infrastrukturës ukrainase nga Rusia, së bashku me borën dhe temperaturat nën zero, mund të shkaktojë një krizë shëndetësore në vend.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kanë thënë vazhdimisht se duke synuar infrastrukturën civile kritike, Rusia po kryen krime lufte, një akuzë e mohuar nga Moska.
Të premten, guvernatori rajonal i Kherson tha se pacientët e spitalit ishin evakuuar nga zona për shkak të “granatimeve të vazhdueshme ruse”.
Zyrtarët e këshillit të qytetit thanë se 15 banorë janë vrarë në qytetin lindor këtë javë, i cili u rimor së fundmi nga forcat ukrainase.
Sulmi ajror rus vjen pasi agjencia bërthamore e OKB-së tha se tre centrale bërthamore në territorin ukrainas ishin rilidhur me rrjetin, pasi u detyruan të mbylleshin gjatë sulmeve këtë javë. /abcnews