Kievi, ende pa rrymë pas sulmeve ajrore ruse
Pas sulmeve ajrore ruse që goditën Ukrainën, në shumicën e qyteteve të vendit është rikthyer energjia elektrike, përveç në kryeqytet.
Kievi mbetet ende me furnizim të kufizuar të energjisë, pas sulmeve ruse të 23 nëntorit.
Kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko, tha vonë më 24 nëntor se 60 për qind e qytetit ende nuk ka energji elektrike.
Ai shtoi se prioritet mbetet edhe furnizimi me ujë dhe transporti publik.
Ndërsa pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në muajin e dhjetë, po vazhdojnë sulmet e intensifikuara ruse me raketa ndaj infrastrukturës civile.
Rusia ka goditur rrjetin elektrik të Ukrainës dhe pjesë tjera infrastrukturore përmes sulmeve ajrore qe disa javë rresht.
Në fillim të nëntorit, Moska ka tërhequr trupat e saj nga qyteti jugor Herson - një nga sukseset më të mëdha të Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus.
Në të kaluarën, kur Rusia ka pësuar humbje në terren, ajo ka sulmuar përmes ajrit.
Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt. /REL