Rusia mohon se Lavrovi u shtrua në spital

Rusia mohon se Lavrovi u shtrua në spital

Bota November 14, 2022 - 11:09

Ministria e Jashtme e Rusisë i mohoi raportet se kreu i kësaj ministrie, Sergei Lavrov, është shtruar në spital.

Agjencia e lajmeve Associated Press raportoi se Lavrov është dërguar në spital pas mbërritjes në Bali të Indonezisë, ku do të merrte pjesë në samitin e vendeve më të industrializuara, G20.

AP tha se lajmi i është konfirmuar nga tre zyrtarë të Qeverisë indoneziane dhe disa mjekë.

Ata nuk pranuan të identifikohen, pasi nuk ishin të autorizuar për të folur publikisht për çështjen, tha AP-ja.

Dy prej burimeve thanë se Lavrovi po trajtohej për probleme në zemër.

Zyrtarët në Ambasadën e Rusisë në Bali nuk ishin të qasshëm për komente.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i cilësoi raportet si “kulmi i falsifikimit”.

Sipas raporteve të agjencisë së lajmeve Reuters, guvernatori i Balit tha se Lavrov është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se ka qenë në spital për një kontroll.

Lavrovi është ministër i Jashtëm i presidentit rus, Vladimir Putin, që nga viti 2004. /REL