Rritet numri i viktimave në Stamboll, gjashtë të vdekur dhe 53 të lënduar
Foto:EPA

Rritet numri i viktimave në Stamboll, gjashtë të vdekur dhe 53 të lënduar

Bota November 13, 2022 - 16:49

Ka shkuar në 6 numri i personave që kanë humbur jetën nga një shpërthim që ka ndodhur në rrugën e njohur Istiklal pranë sheshit Taksim në Istanbul.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se gjashtë persona janë vrarë dhe 53 janë plagosur në Stamboll më 13 nëntor. Ai tha se shpërthimi ishte "sulm me bombë".

Duke folur për gazetarët para se të nisej për në Indonezi, ku do të marrë pjesë në samitin e G20-s, Erdogan tha se shpërthimi ishte sulm "i pabesë", duke shtuar se keqbërësit do të ndëshohen.

Sipas liderit turk, katër persona vdiqën në vendin e ngjarjes dhe dy në spital. Edhe 53 persona të tjerë janë plagosur, sipas guvernatorit të Stambollit, Ali Yerlikaya.

Yerlikaya më herët shkroi në Twitter se të plagosurit janë duke marrë trajtim mjekësor.

Sipas guvernatorit Yerlikaya, ngjarja ndodhi në orën 16:20.

Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit të së dielës dhe sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, pesë prokurorë janë caktuar që ta hetojnë këtë ngjarje.

Zona ku ndodhi shpërthimi është evakuuar. /REL