Policia dhe transmetimet ukrainase kthehen në qytetin e Khersonit

Policia dhe transmetimet ukrainase kthehen në qytetin e Khersonit

Bota November 12, 2022 - 17:07

Oficerët ukrainas të policisë dhe shërbimet televizive dhe radiofonike u kthyen të shtunën në qytetin jugor të Khersonit pas tërheqjes së trupave ruse, pjesë e përpjekjeve të shpejta por të kujdesshme për të rikthyer normalitetin në kryeqytetin e vetëm rajonal që ishte kapur nga forcat e Moskës para se të tërhiqeshin trupat ruse.

Ukrainasit anembanë vendit u zgjuan pas një nate festimesh entuziaste pasi Kremlini njoftoi se trupat ruse ishin tërhequr nga Khersoni në anën tjetër të lumit Dnieper. Ushtria ukrainase tha se po ndërmerrte "masat e stabilizimit" në zonat përreth qytetit

Shefi i Policisë Kombëtare të Ukrainës, Ihor Klymenko, tha në një postim në Facebook të shtunën se rreth 200 oficerë ishin në shërbim në qytet, duke ngritur pika kontrolli dhe duke dokumentuar prova të krimeve të mundshme të luftës.

Ekipet e policisë po punonin gjithashtu për të identifikuar dhe neutralizuar municionet e pashpërthyera dhe një xhenier u plagos të shtunën teksa çminonte një ndërtesë administrative, tha zoti Klymenko.

Një këshilltar i kryebashkiakut të Khersonit tha se ndihmat humanitare dhe furnizimet kishin filluar të mbërrinin nga rajoni fqinj i Mykolaivit.

Duke folur në televizionin ukrainas, këshilltari Roman Holovnya e përshkroi situatën në qytet si "një katastrofë humanitare". Ai tha se banorëve të mbetur u mungonte uji, ilaçet dhe ushqimi.

Megjithë përpjekjet për të rivendosur jetën normale civile, forcat ruse mbeten pranë.

Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës tha se rusët po forconin linjat e tyre të betejës në bregun lindor të lumit pasi braktisën kryeqytetin. Rreth 70% e rajonit Kherson mbetet nën kontrollin rus./VOA