NATO-ja do t’i rrisë forcat në gatishmëri të lartë, nga 40.000 në 300.000 trupa

NATO-ja do t’i rrisë forcat në gatishmëri të lartë, nga 40.000 në 300.000 trupa

Bota June 27, 2022 - 15:05

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të hënën, më 27 qershor, se Aleanca Ushtarake e Atlantikut Verior synon të rrisë ndjeshëm numrin e forcave në gatishmëri të lartë, në mbi 300,000 trupa nga 40,000 që janë aktualisht, si pjesë e rishikimit më të madh të mbrojtjes së aleancës që nga koha e Luftës së Ftohtë.

Stoltenbergu konfirmoi gjithashtu se aleatët do të zgjerojnë dislokimet e trupave në vendet e NATO-s që janë më afër Rusisë.

Vendimet do të zyrtarizohen në samitin historik të aleancës 30-anëtarëshe të NATO-s këtë javë në Madrid, i cili po mbahet nën hijen e luftës së Rusisë në Ukrainë.

"Ne do të transformojmë forcën e reagimit të NATO-s dhe do të rrisim numrin e forcave tona të gatishmërisë së lartë në mbi 300,000 trupa", tha Stoltenbergu.

Forca e Reagimit të NATO-s aktualisht kanë një kontingjent prej rreth 40,000 ushtarësh, marinarësh dhe personeli ajror.

Në samitin e Madridit, NATO-ja do të ndryshojë gjithashtu qasjen e saj ndaj Rusisë, e cila në strategjinë e fundit të aleancës nga viti 2010 ishte ende e përshkruar si një partner strategjik.

"Ky nuk do të jetë rasti në konceptin strategjik që ne do të biem dakord në Madrid", tha Stoltenbergu.

"Unë pres që aleatët të deklarojnë qartë se Rusia përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë, për vlerat tona, për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla". /rel