Kina thotë se ka paralajmëruar anijen luftarake amerikane nga deti i Kinës Jugore, SHBA-ja e mohon

Kina thotë se ka paralajmëruar anijen luftarake amerikane nga deti i Kinës Jugore, SHBA-ja e mohon

Bota January 20, 2022 - 14:33

Forcat kineze ndoqën dhe paralajmëruan një anije luftarake të SHBA-së, e cila hyri në ujërat afër Ishujve Parcel në detin e Kinës Jugore. Megjithatë, marina e SHBA-së mohoi që të jenë paralajmëruar dhe ndjekur.

Forcat kineze thanë se anija “USS Benfold” lundroi ilegalisht në ujërat kineze pa marrë leje, gjë që shkeli sovranitetin e vendit dhe se forcat detare dhe ajrore kineze gjurmuan anijen.

“Ne kërkojmë publikisht që pala amerikane të ndalojë këto veprime provokuese, përndryshe do t’i bartë pasojat e rënda të ngjarjeve të paparashikuara”, shtuan forcat kineze, raporton “Reuters”.

Në anën tjetër, marina e SHBA-së e mohoi idenë se anija luftarake “Benfold” është paralajmëruar që të largohet, por në njëfarë mënyre konfirmoi se anija ishte duke operuar në det, duke thënë se misioni e pasqyron përkushtimin e forcave detare amerikane për ta mbrojtur lirinë e lundrimit.

“Deklarata e Republikës Popullore të Kinës për këtë mision është e rreme”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Flotës së 7-të, Mark Langford, transmeton Zeri.info.

Marina e SHBA-së shpesh kryen misione të tilla në detin e Kinës Jugore për të sfiduar pretendimet territoriale kineze.

“SHBA-ja është duke mbrojtur të drejtën e çdo kombi për të fluturuar, lundruar e lëvizur kudo që ligji ndërkombëtar e lejon. Asgjë që thotë Republika Popullore e Kinës nuk do të na ndalojë”, u tha më tej në deklaratë.

Deti i Kinës Jugore është bërë një nga shumë pikat ndezëse në marrëdhëniet e vështira midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, me Washingtonin që refuzon ato që i quan pretendime të paligjshme territoriale nga Pekini. /Zëri