Zbulohet rasti i parë me “Omicron” në SHBA, kreu i OKB-së kundër mbylljes së kufijve
Foto: Wikimedia

Zbulohet rasti i parë me “Omicron” në SHBA, kreu i OKB-së kundër mbylljes së kufijve

Bota December 02, 2021 - 08:19

Zbulohet edhe në SHBA rasti i pari i të infektuarit me variantin e ri të covid-19, Omicron. Bëhet fjalë për një person në Kaliforni, i cili së fundmi ishte kthyer nga Afrika e Jugut.

“Individi është karantinuar dhe janë gjurmuar të gjithë personat që kanë qënë në kontakt me të, e të gjithë janë testuar negativisht. I infektuari është i vaksinuar dhe ka simptoma të lehta. Është duke u përmirësuar”, u shpreh Anthony Fauci, kryekëshilltar Mjekësor i Presidentit.

Që nga java e shkuar kur autoritetet në Afrikën e Jugut identifikuan variantin e ri të paktën 23 shtete kanë raportuar se kanë të infektuar me Omicron.

Shfaqja e mutacionit ka bërë që SHBA dhe shumë shtete të tjera të kufizojnë udhëtimet me shtetet e Afrikës së Jugut. Një masë që kritikohet nga shefi i OKB-së, Antonio Guterres.

“Me një virus që është vërtet pa kufij, kufizimet e udhëtimit që izolojnë një vend apo rajon jo vetëm që janë thellësisht të padrejta dhe ndëshkuese, por janë joefektive”, tha Antonio Guterres, kreu i OKB-së.

Spanja është një tjetër shtet që shtrëngon kufizimet e udhëtimit, por ende dëshiron që turistë të vijnë. Vizitorët nga Mbretëria e Bashkuar që nuk janë banorë të BE-së, do të mund të hyjnë në Spanjë vetëm nëse janë plotësisht të vaksinuar. Nuk mjafton më të kesh një PCR negative ose të kesh kaluar sëmundjen.

“Mendoj se është mirë. Mendoj se janë marrë masa të mira për të ndaluar njerëzit të vijnë pa u vaksinuar”, tha një turiste britanike.

Pronarët e bizneseve të Costa Blanca shpresojnë se ndikimi i këtyre masave tek turistët do të jetë minimal. /euronews.al